Brukseli shumë i brengosur për sjellje të Serbisë

E publikuar: 18/06/2018 15:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

“Serbia po sillet shumë rrezikshëm, mund t’a kthejmë regjimin e vizave për hyrje në BE për qytetarët e saj”.
Brukseli shumë i brengosur për sjellje të Serbisë
Bashkësia Evropiane seriozisht e brengosur për sjellje të Serbisë e cila për arsye politike i heqë vizat shtetasve të shteteve të treta dhe me këtë po e vështirëson luftën ndaj imigrimeve ilegale në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkësisë Evropiane. Këtë kanë thënë për gazetën kroate “Jutarnji list” burimet diplomatike në Bruksel, duke përmendur shembullin e numrit gjithnjë e më të madh të shtetasve të Iranit në Serbi, pas heqjes së vizave. Ata vijnë në Serbi si turistë, e më pas nëpërmes të Bosnjës dhe Hercegovinës kalojnë në Bashkimin Evropian.

“Kjo sjellje e Serbisë është e pashembullt dhe e rrezikshme. Ata me këtë mund të rrezikojnë liberalizimin e vizave e cila ekziston për qytetarët e tyre dhe ne do të përcjellim me shumë kujdes se si do të zhvillohen gjërat. Përveç për Iranin ekzistojnë edhe spekulime se Beogradi së shpejti mund t’i heqë vizat edhe për disa shtete tjera dhe kështu Beogradi të bëhet portë e hapur për ata në rrugën për në BE, ka thënë një diplomat i BE. Burimi i njëjtë thotë se këto heqje të vizave janë pjesë e fushatës së Serbisë t’i shpërblejë shtetet të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, transmeton Insajderi.com.

Pritet që javën e ardhshme, në mbledhjen e Këshillit të Punëve të Përgjithshme të BE, në konkludime për zgjerim të Ballkanit Perëndimor do të shprehet brengosja nga ana e BE dhe të kritikohet Serbia për këtë.

Në draftin e konkludimeve, në të cilat “Jutarnji list” ka pasur qasje, shkruan se “Këshilli i bën thirrje Serbisë që të përmbahet nga largimi prej politikës së përbashkët të vizave, rreth të cilës praktika e paradokohshme, siç është lidhja e marrëveshjes për liberalizimin e vizave me shtetet e caktuara të treta, ka shkaktuar brengosje”.

Bashkësia Evropiane as deri tani në përgjithësi nuk ka qenë e kënaqur që Serbia në politikën e saj të jashtme aspak nuk i afrohet qëndrimeve të BE, siç përndryshe pritet nga shtetet me status të kandidatit i cili po negocion për anëtarësim. Mirëpo, BE ka toleruar sjelljen e tillë të Serbisë, sidomos rreth marrëdhënieve me Rusinë. Politika “edhe BE edhe Rusia” po vazhdohet nga ana e Serbisë edhe pse, siç vërejnë diplomatët në Bruksel, kjo kryesisht do të thotë se Serbia është në anën e Rusisë, nuk e përkrahë asnjë qëndrim të BE ndaj Rusisë, madje as sanksionet, derisa po negocion për anëtarësim në BE. Por në politikën e jashtme të Serbisë për BE më problematike po bëhet përkrahja e Serbisë e cila po i ofron shteteve të ndryshme të treta, duke përfshirë edhe ato të cilat kanë probleme serioze me shkelje të drejtave të njeriut./Insajderi.com.