30 vjet punë dhe dashuri, të kurorëzuara me “Vali Ranch”

E publikuar: 19/07/2015 01:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Fehmi dhe Sara Fetahu janë pronarë të kompanisë së njohur “Fetaxid”, pjesë e të cilës është edhe kompleksi turistik në Gjilan “Vali Ranch”

  • ALBINFO.CH

  • Sara dhe Fehmi Fetahu

  •  

“Në vitin 1985, si student i mjekësisë pata ardhur gjatë verës për të punuar në Zvicër. Të gjithë ne “gastarbajterët” banonim në baraka. Një ditë, njëri nga shokët më thotë të shkojmë te një familje zvicerane për vizitë. Pritja nga familja ishte shumë e përzemërt por ajo që mua si i ri më ra më shumë në sy ishte vajza e bukur bionde e familjes. Ishte simpati në shikim të parë, por kush ka menduar atëherë se kjo do të ishte gruaja ime në 30 vitet e ardhshme”, shprehet Fehmiu. Ishte pra kjo Sara. Aty nëna e saj, duke e parë se nuk e njihja mirë gjuhën më tha: eja prej nesër te ne dhe të ndihmon Sara për ta mësuar gjuhën. U mor vesh, unë mezi kisha pritur… Dhe, ju e dini se çka ndodh kur një i ri shqiptar shkon me mësu gjuhën me një vajzë të re zvicerane”, thotë duke qeshur Fehmiu dhe bën me sy nga

Sara, e cila ia pohon ato që i thotë njeriu me të cilin njihen dhe duhen tash plot 30 vjet.

Pastaj vitin tjetër, i them Sarës: `hajde me pa ku jetoj unë, prej nga vi`. Desha që edhe ajo ta shihte Kosovën dhe vendin ku unë jetoja. Ajo pati problem deri e siguroi lejen e babait, pasi që sapo i mbushte 18 vjet. Megjithatë Sara erdhi në Kosovë. E mbaj mend si sot, dola në aeroport të Prishtinës për ta marrë “nusen” me një golf të vjetër që e kisha blerë nga kursimet e punës gjatë verës në Zvicër”, kujton Fehmiu kohën e fillimeve me Sarën.

Prindërit nuk ishin kundër

Në vitin 1987 Sara ishte shtatzënë dhe pritej të lindte djali, Faiku. “Ndërsa unë ende nuk kisha letra për Zvicër, ende vija këtu vetëm gjatë verës si student. Por kur lindi djali, unë do të vendosja: nuk mund të rrija më në Kosovë kur familja ime e re po krijohej në Zvicër. Kështu, erdha në Zvicër dhe u martuam me Sarën. Fillimisht nisa të punoja si teknik i dhëmbëve por nuk qëndrova gjatë aty dhe kalova në ndërtimtari gjegjësisht në degën të cilën e punoj edhe sot, në shtruarjen e dyshemeve.

Por në vitin 1989 erdha në një moment që duhej të vendosja: ose po kthehem në Kosovë ose po e themeloj një firmë. Sarës, e cila punonte në bankë, i them: Më duhen kaq para për t`i blerë mjetet e nevojshme dhe po e nisim firmën. Pak ditë më vonë, më 15 qershor 1989 është themeluar firma me emrin Fetaxid në Willisau.

Ndërsa Sara duke folur në retrospektivë për kohën e martesës kujton se prindërit nuk kishin qenë kundër: “Nga prindërit nuk kemi pasur pengesa. Por, sigurisht ata kanë qenë paksa të frikësuar pasi që isha shumë e re dhe nuk e kishin të lehtë të më linin të shkoja me një njeri që nuk i kishte as letrat në Zvicër. Por më shumë dyshime dhe fjalë ka pasur nga rrethi shoqëror, nga fqinjët”, thotë Sara.

Habia më e madhe e Sarës në Kosovë: Këpucët para derës së shtëpisë

Mirëpo si është përballur ajo me vendlindjen e të shoqit, Kosovën, me çka është befasuar më shumë atje?

Ajo e nis kështu: “Habia më e madhe ka qenë kur i kam parë këpucët para derës”, duke evokuar pak si me shaka momentin e parë kur ka shkuar në shtëpinë e Fehmiut, në Përlepnicë të Gjilanit. “Sigurisht, në fillim pa e kuptuar gjuhën, nuk e kisha lehtë. Por për dy javë e mësova sa për tu marrë vesh me familjarët.

Ndërsa Fehmiu e plotëson: “I pata thënë se në Kosovë e kisha gjendjen më të mirë se në Zvicër, rregullimin e shtëpisë, banjat luksoze etj. ndërhyn duke qeshur Fehmiu. E Sara ia pret po ashtu me shaka: “Banjën luksoze” që e gjeta atje  ishte një fuçi e mbushur me ujë dhe një “pocerkë” për t`u larë me të”.

Prej atëherë gjendja në Kosovë ka ndryshuar tepër shumë, e pranon Sara por ajo shton në shqipen e mësuar nga familjarët e Fehmiut: “Ka ndryshu shumë për të mirë por tash njerëzit janë tranu ngapak”, thotë ajo tek ka parasysh zbehjen e disa nga zakonet që atëbotë kanë qenë më të ngulitura si respekti për tjetrin, afërsia familjare, modestia etj.

“Prindërit e Fehmiut më kanë pritur shumë mirë dhe kurrë nuk e kanë bërë problem pse djali i tyre e ka marrë nusen nga një vend dhe fe tjetër etj.

Gjatë shtatë viteve të fundit familja Fetahi ka zgjeruar aktivitetet edhe në Kosovë. Kështu, Fehmiu afërisht çdo dy javë shkon atje për t`i mbikëqyrur punimet intensive në “Vali Ranch” që asnjëherë nuk pushojnë.

“Vali Ranch” është bërë tashmë një vend joshës në Kosovë dhe pikë referimi për turizmin e atjeshëm. Por, a i kalon çifti Fetahu pushimet në Vali Ranch?

Pushimet? I kemi harruar ato tash disa vite

“Eh, pyetja më e mirë do të ishte: a keni fare pushime!” fshan Sara. “Ka së paku 2-3 vjet që nuk kemi shkuar askund për pushime, shton ajo, duke ia lënë “fajin” për ketë angazhimeve të shumta në punët rreth Vali Ranchit në Kosovë. “Atje mbase do të mund të pushojmë vetëm kur t`i përfundojmë ndërtimet. Deri atëherë pushimet duhet t`i harrojmë”, e vulos Fehmiu.

Sara, duke qenë zvicerane, e flet mjaft mirë shqipen. A ka qenë kjo  garanci që edhe fëmijët ta mësojnë mirë atë?

“Valentina e flet shqipen perfekt sepse ka shkuar shpesh dhe ka qëndruar gjatë në Kosovë”, thotë Sara. Ndërsa Faiku dallohet pak në aksent, e thonë të dy, “sepse atij i ka rënë më pak të qëndrojë në Kosovë”. Valentina është martuar me një shqiptar nga Prizreni, me qëndrim në Zvicër, dhe aktualisht ndodhet me pushime në Kosovë.

Mund të jetojmë edhe në Kosovë (gjatë stinës së ngrohtë)

Fehmiu dhe Sara një pjesë të konsiderueshme të kohës vitet e fundit e kalojnë në Kosovë. Por a mund ta paramendojnë ata shpërnguljen atje?

Fehmiu: Po, pa dilemë

Sara: Sa për periudhën prej prillit deri në tetor nuk do të kisha problem dhe faktikisht gjatë muajve të përmendur edhe jemi më shumë atje. Por gjatë dimrit… hmmm. Është pakëz problem, e dini, mungesa e infrastrukturës, bora, balta në rrugë…”.

“Edhe pse në “Vali Ranch” nuk të mungon asgjë nga standardi i Zvicrës”, ndërhyn Fehmiu. Pasta ai shton se edhe jashtë “Vali Ranch”-it ka mjaft përparime, rrugë të mira, ngritje të vetëdijes së qytetarëve për të mbrojtur ambientin. etj. Nuk i hedhin cigaret, letrat në rrugë”, këmbëngul ai.

Fehmiu edhe ndryshe nuk heq dorë nga optimizmi: “Mos u dorëzo. Drita do të dalë në fund të tunelit”, është motoja e tij. Dhe: Paraja nuk është gjithçka. Është gabim ta vesh paranë para familjes. Duke vepruar kështu, ne kemi pasur harmoni dhe marrëveshje. Madje, po të mos ishte Sara pro investimit në Vali Ranch unë nuk kam pasur shans ta bëja këtë vet. Por ajo ka qenë ndoshta edhe më e motivuar se unë dhe kështu e kemi shtyrë punën deri këtu. Po them, iniciativa ka qenë më shumë e saj”, përfundon Fehmiu.

Të reja nga “Vali Ranch”

Nga korriku është hapur salla e dasmave ndërsa nga dhjetori ose janari i vitit të ardhshëm edhe hoteli. Pjesa ekskluzive me pishina të mbuluara dhe me “spa” duhet të presë edhe pak pasi që ka punime që marrin më tepër kohë, thotë ai, duke premtuar se së shpejti “Vali Ranch” do të jetë një pikë me ofertë të kompletuar të turizmit dhe relaksimit.