30 mijë nxënës iu nënshtruan Testit të Arritshmërisë

E publikuar: 21/05/2016 13:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë sot në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës ka organizuar Testin e Arritshmërisë për klasat e IX- ta.

Ky test do të jetë përcaktues në përzgjedhjen e drejtimeve në shkollimin e mesëm.

Zëvendësministrja e Arsimit, Anila Statovci-Dema ka zgjedhur shkollën “Faik Konica” për të vëzhguar për së afërmi punën e monitoruesve dhe procesin e testimit të nxënësve. Ajo është shprehur e kënaqur me rendin dhe qetësinë që përcolli procesin në këtë shkollë. Gjithashtu edhe drejtoresha e shkollës “Faik Konica”, Kumrie Sahiti tha se përveç disa gabimeve teknike, nuk ka pasur ndonjë problem që vlen të theksohet.

Zëvendësministrja Statovci-Demaj tha se qëllimi i këtij testi ishte që nxënësit të kenë më të lehtë të dinë të orientohen për shkollimin tyre të mëtutjeshëm.

“Ky test bëhet për qëllimin e vetëm që nxënësve tanë t’i ofrohet orientimi tutje gjatë shkollimit të tyre. Rezultatet e te stit janë ato të cilët do t’i ndihmojnë atyre të orientohen për profesionet në të ardhmen. E rëndësishme është se testi i klasave të 9-ta e përfundon një cikël shkollimi, është cikli i klasës 1-9, është cikël obligativ i mësimit obligativ, tash për tash brenda ligjshmërisë ekzistuese. Shkollimi i mëtutjeshëm nuk konsiderohet si i obliguar nga ana jonë, prandaj është e qenësishme dhe e rëndësishme edhe një test nga ana jonë një test i tillë që i ofrohet nxënësve tanë që ta kenë në përfundim të këtij cikli. Nuk është raportuar asnjë problem i natyrës që vlen të përmendet më substanciale. Gjenerata përfshin 30 mijë nxënës, janë rreth100 qendra duke u bërë këto teste ,rreth 8000 vëzhgues”,tha Statovci- Demaj.

Ajo u shpreh e befasuar për qetësinë dhe rendin që po mbahej.

E, drejtoresha e shkollës Faik Konica, Kumrie Sahiti tha se gjithçka ka shkuar mirë dhe përveç disa gabimeve të vogla teknike nuk ka pasur ndonjë problem që vlen të theksohet.

“Gjithçka ka qenë e gatshme, meqë i kemi dy shkolla kanë ardhur të gjithë në kohë, me përjashtim 2 ose 3 arsimtarë të Ismajl Qemailit nuk kanë ardhur dhe i kemi kompensuar me të tjerë. Në ora 10:00 ka filluar procesi i testit. Nuk ka ndonjë ankesë të jashtëzakonshme nga nxënësit. Nxënësit janë të qetë dhe stabil dhe çdo gjë është mirë”, tha Sahiti.

Monitoruesja në shkollën Faik Konica ,Hamide Biqkaj tha se gjithçka është në rregull dhe se materiali është mjaft i përgatitur.

“Unë kam fatin të jem në një klasë që janë nxënësit e shkollës Xhemajl Mustafa 9 pjesa e dytë. Jemi si monitoruese që shtatë vite në këtë test dhe është rregull që të vijmë në një orë para kohe, para se të filloj testi. Kemi ardhur në kohë, kemi vëzhguar shkollën së bashku me drejtoreshën e kësaj shkollë, gjithçka është në rregull asnjë vështirësi nuk kemi pasur që hapat e parë kur fillon testi. Materiali është i gjithë i përgatitur. Nxënësit janë jashtëzakonisht të mirë në klasë, duket që kanë disiplinë dhe rregull edhe në shkollën ku kanë qenë”, tha Biqkaj.

Pyetësori i Testit të Arritshmërisë përmbanë 100 pyetje, nga lëndët Gjuhë Shqipe, Gjuhë Angleze, Matematikë, Informatikë, Histori, Gjeografi, Fizikë, Biologji dhe Kimi dhe organizohet në tri gjuhë: shqipe, boshnjake dhe turke.

Testi u organizua në 102 Qendra të Testimit dhe u monitorua nga zyrtarë të Ministrisë së Arsimit. Rezultatet e këtij testi pritet të shpallen më 30 maj.