30 ditë paraburgim për financuesin e xhihadistëve kosovar

E publikuar: 17/03/2016 18:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata Themelore e Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit për 30 ditë ndaj Fatos Rizvanollit, i arrestuar një ditë më parë nën dyshimet se ka kryer veprat penale rekrutim në terrorizëm, organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist, nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik dhe shtytja për kryerjen e veprave penale terroriste.

“Gjyqtari i procedurës paraprake, nga Departamenti i Krimeve te Renda në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale te Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit të evidentuar si: PPS.nr.39/14 të datës 16.03.2016, në çështjen penale kundër të pandehurit F.R, shqiptar shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale rekrutim në terrorizëm nga neni 139 të KPRK-së, organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist nga neni 143 par.2 të KPRK-së, nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik nga neni 147 të KPRK-së dhe shtytja për kryerjen e veprave penale terroriste nga neni 141 të KPRK-së, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, ndaj të pandehurit, nga data e arrestimit 16.03.2016 e deri më datën 15.04.2016 në ora 08:00”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Më tej thuhet se pas vlerësimit të të gjitha shkresave të lëndës dhe dëgjimit të palëve, gjyqtari i procedurës paraprake, konsideroi se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit.

“Masa e paraburgimit është caktuar konform nenit 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.2 pika 1.2.1 , 1.2.2 dhe 1.2.3, të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës. Po ashtu me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij”, përfundon njoftimi i gjykatës.

Biznesmeni nga Peja, Fatos Rizvanolli u arrestuan nga Policia, të mërkurën, derisa bizneset dhe pronat e tij në Prishtinë dhe Pejë janë bastisur.

Afro tri vite më parë, Gazeta Express në një hulumtim kishte gjetur se Rizvanolli ishte donator i një xhamie jashtë juridiksionit të Bashkësinë Islame të Kosovës e që operonte në një lokal të një ndërmarrje shoqërore të lidhur me familjarë të politikanëve kosovarë të opozitës.

Hulumtimi i Gazetës Express, zbuloi në vitin 2013, se në këtë xhami ishte kontraktuar në mënyrë private imami Bedri Robaj që më vonë u kap për terrorizëm, në kohën kur u arrestuan edhe dhjetë kolegë të tjerë të tij por ata nga BIK’u.