3 minuta larg historisë, Juventus sot luan për Bufonin

E publikuar: 20/03/2016 11:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Minuta e tretë, Tori no-Juventus 0-0. Stadiumi “Olimpico” çohet i gjithi në këmbë për të përshëndetur portierin më të madh të historisë së futbollit italian…

Kjo do të ishte një pasdite e këndshme dhe e lavdishme për Xhanluixhi Bufonin dhe tifozët e Juventusit, e cila për t’u quajtur perfekte duhet të mbyllet me fitoren e bardhezinjve.

Përballë janë rivalët e betuar të Torinos, që do të bëjnë gjithçka për të prishur festën e bardhezinjve. Në një sfidë që luhet në fushë dhe tribuna, ku rivaliteti kalon çdo limit, “Zonja e Vjetër” kërkon të vazhdojë marshimin drejt titullit të pestë radhazi, ndërsa numri një i portës mund të bëhet portieri numër një në Itali për rekordin e pathyeshmërisë.

Rekord që mbahet nga Sebastiano Rosi (929 minuta), por Bufon ka shkuar 926 minuta dhe i duhen vetëm 3 të tilla nga derbi për ta barazuar. Diçka lehtësisht e arritshme përballë një mbrojtjeje si bunker, e cila kërkon të tregojë se golat e pësuar në minutat e fundit në Mynih ishin një rastësi, që nuk mund të ndodhin kurrsesi ditën e sotme. Në Itali, Juventusi duket se nuk ka rivalë, por Torino kërkon kthesën pikërisht në këtë sfidë delikate.

Bufon

Gardiani i “Zonjës së Vjetër” e ka lënë pas dështimin ndaj Bajernit dhe thotë se humbje të tilla e motivojnë akoma më shumë skuadrën. “Ajo që ndodhi është e harruar. Juventusi është një ekip i pjekur dhe di të reagojë mjaft mirë ndaj këtyre situatave. Kemi shumë zemërim brenda vetes dhe duhet ta tregojmë në fushë ndaj Torinos. Jam krenar për këtë ekip dhe shpresoj të jap kontribut deri në moshën 40- vjeçare këtu”, tha Bufon.

Rekordi botëror

Portieri i Juventusit ka mundësinë e artë për të thyer një rekord në futbollin italian, sepse për të qenë i pari në botë duhet të durojë 1817 minuta pa pësuar gol. Një rekord të tillë e mban portieri Mazaropi, i cili gjatë sezonit 1977-1978 mbajti të paprekur portën e Vasko Da Gamas për 1816 minuta. Vendin e dytë e mban Dani Verlinden, i Klub Bryzhit, ndërsa në podium ka vend për legjendën holandeze, Van Der Sar. Në sezonin 2009 e mbajti portën e Junajtid për 1311 minuta pa pësuar gol.