Haziri: Autorizimi që Thaçi t’i udhëheqë negociatat, ndikim nga Serbia

E publikuar: 20/04/2018 00:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Haziri mohon se ka nisur gara në LDK për kryetar e të nominuar për kryeministër
00:10 – Numri dy i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka mohuar se në këtë parti ka nisur gara për të marrë kreun apo mandatarin për t’u nominuar për kryeministër të vendit.

Duke i referuar deklaratës së kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxhiri, se do të mund të jetë kandidat për kryeministër, ka thënë se “deklarata e kolegut të tij e hapi këtë debat të panevojshëm”.

“Është provokuar nga një pyetje në të cilën ai ka dhënë përgjigje të drejtpërdrejtë. Por ne e ruajmë kalendarin e zgjedhjeve në LDK. Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, është duke u bërë shumë mirë. LDK-ja ka kryetar, ka struktura dhe kalendar të zgjedhjeve”, ka thënë Haziri, në Interaktiv të KTV-së.

“Kemi mbajt zgjedhje edhe në luftë, në vitin ‘98 kur ka pas kërcënime me armë se nuk guxoni të mbani zgjedhje. Por ne e kemi të organizuar këtë traditë të kalendarit të zgjedhjeve. Kah fundi i vitit do të shpallen zgjedhjet që duhet të kryhen në majin e vitit që vjen. Është humbje kohe që të flitet qysh tash për atë punë. Kushdo që mendon ta shpallë kandidaturën për kryetar të LDK-së, mund ta bëjë atë dhe ka mjaftueshëm kohë, 5 muaj që të shpalosë platformën e vet”, ka thënë Haziri.

“Edhe më herët z. Mustafa ka deklaruar se ky është mandati i cili do ta çojë përpara LDK-në. Nëse dikush e ka njëlloj përparësie për kandidaturë është z. Mustafa, por ai do ta vlerësojë vet”, ka thënë Haziri.

Ai ka thënë se mendon se për LDK-në është shumë më me rëndësi që ta ketë një listë konsensuale përfaqësuese politike, se sa një kandidatë për kryeministër e që pastaj mbetet kryeministër në tentativë.

I është i bishtnuar përgjigjes së drejtpërdrejt nëse ai mund të jetë kandidat për kryeministër apo për kryetar të LDK-së, por ka thënë se do të jetë pjesë e ekipit që do të punojë për ta kthyer të parën këtë parti.

Haziri: Autorizimi që Thaçi t’i udhëheqë negociatat, ndikim nga Serbia

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, duke komentuar platformën shtetërore për finalizim të negociatave me Serbinë, ka thënë se autorizimi që presidenti Hashim Thaçi t’u prijë negociatave, është ndikim politik nga Serbia.
Këtë e ka lidhur duke thënë se Kosova e ka parë që bisedimet nga pala serbe po i udhëheq presidenti, Aleksandar Vuçiq.

“Ne mund të flasim për çfarëdo raporti, por fakti që kryeministri me platformë parasheh që kryetari është bartës i procesit neve na mbetet vetëm të bëjmë komente dhe reagime poltiike, por është realitet i ndikuar nga Serbia. Kryeministri është tërheqë vullnetshëm në rolin sekondar. Kryeministri do të merret me implementim”, ka thënë Haziri në Interaktiv të KTV-së.

Haziri po ashtu ka thënë se LDK-ja e konsideron dialogun mjetin më demokratik, ndërsa ka shtuar se nuk do të lejojnë ndonjë agjendë të fshehur në bisedime. Sipas tij, në agjendë të fshehur mund të ketë “thyerje të funksionalitetit të Republikës”. Ai ka thënë se Serbia e ka problemin më të madh territorial dhe për shkak të këtij problemi po i sjell pengesa të mëdha Kosovës në integrimet euroatlantike.

“Është momentum i ri. Serbia është para hapit të madh për integrim evropian, e distancuar për integrim në NATO. Ky është raport që Kosovës nuk duhet t’i japë komoditet por mund t’i japë mundësi që kërkesat tona politike të çojnë në marrëveshje që largon çdo pengesë që Serbia ka përdorur kundër Kosovës, përfshirë Federatën Ruse dhe rolin e saj si fuqi që ta pengojë Kosovën në anëtarësimin në OKB”, është shprehur ai.

Ai ka folur edhe për e fundit të presidentit Thaçi se ish-presidenti Ibrahim Rugova, lider i LDK-së, ishte pasiv në konferencën e Rambouilletit. Sipas Hazirit, pa Rugovën nuk do të ndodhte fare as kjo konferencë. Ai ka deklaruar se Rugova ka pasur frikë se kjo konferencë mund të dështojë vetëm falë palës kosovare. Haziri po ashtu ka komentuar edhe faktin se në librin për Thaçin, Rugova është kujtuar si njeri që ka pëlqyer alkoolin.

“E kam lexuar një pjesë të librit ku përmendet çështja e gazetarëve që e kanë shkruar librin. S’është diçka e vjetër, sepse me Rugovën si president e lider historik janë marrë në këtë rrafsh të ulët. S’kanë pas tjetër gjë, pos është sulmuar politikisht në këtë rrafsh duke e përmendur alkoolin. Sa i përket rolit të tij, Rugova si njeri që e ka shkaktuar konferencën e Rambouilletit edhe kur lufta erdhi si mjet i politikës, për nëntë vjet bëri që të mos dështojë procesi i Rambouilletit siç kanë dashur të tjerët. Të gjitha proceset tjera për pavarësinë e vendit kanë ardhur si ndikim i Rugovës. Merita e tij në këtë rrafsh nuk mund të shihet nga një konferencë njëjavore”, ka thënë më tej Haziri.