Debat për mishin e prishur, thirrje për shkarkimin e bordit të AUVK (Video)

E publikuar: 18/04/2018 20:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Skandali për mishin e prishur që përfshiu gjithë Kosovën tek sot është bërë temë diskutimi ne Kuvend. Deputeti nga Nisma Socialdemokrate, Milaim Zeka, drejtoi gishtin kah Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë për skandalin e mishit të skaduar .
Ai madje kërkoi edhe shkarkimin e bordit drejtues të kësaj agjencie.

“Përgjegjësia kryesore është te agjensioni për kontrollimin e produkteve, po i bëj thirrje kryeministrit me shkarku bordin e AUVK-së. Është dashur me dhanë dorëheqje pa e shkarku hiç.”

”.

E në minutat e rezervuar për të, Zeka gjithashtu ka thënë se ekziston një zingjir i krimit që lidhet edhe me disa media.

“Zinxhiri i krimit fillon prej dogane e inspektoratit e deri te disa portale që shantazhojnë kompanitë. I kërkoj qeverisë dhe kryeministrit të marrë masa ta shkarkojë bordin, me një kusht opozita me e livdu e jo me i thanë qysh e shkarkove.”

Edhe Alternativa ishte një zëri me Zekën.

Por Mimoza Kusari tha se shkarkimi i bordit edhe mund të mos ndodhë, pasi që Kryeministri nuk i ka kompetencat.

“Kjo qeveri nuk ka arritë me bo ndryshime, dhe nuk mund të ketë shkarkim të shefit të AUVK-së, se kryeministri për me shkarku duhet me pyet shefin e tij, Thaçin, me këqyrë matematikisht a po prishet plani i koalicionit”.

Por në LDK mendojnë se pikërisht qeveria është kompetente dhe përgjegjëse.

Besa Gaxherri në emër të LDK-së tha kjo qeveri duhet të japë dorëheqje .

Debati ka vazhduar edhe më tej, ku Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj ka kërkuar që të krijohet një Komision Hetimor për skandalin me mishin e prishur.

Gjatë muajit mars është raportuar se kompania belge “Veviba” kishte futur në Kosovë 40 mijë kilogramë mish me cilësi të dyshimtë e cila është konsumuar nga qytetarët e Kosovës.

Sipas Doganës , për këtë sasi mishi janë paguar vetëm 20 mijë e 600 euro, që i bie se kilogrami ka kushtuar vetëm 93 centë. Debati për mishin e prishur vazhdoi deri në orët e mbrëmjës .