MASHT nxjerr Udhëzimin për parimet e njohjes së platformave dhe revistave ndërkombëtare

E publikuar: 19/01/2018 18:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ 01/2018 për Parimet e njohjes së platformave dhe revistave ndërkombëtare me recension.

Qëllimi i këtij Udhëzimi Administrativ, sipas njoftimit nga MASHT është rregullimi i parimeve dhe njohjes së platformave dhe revistave ndërkombëtare me recension.

MASHT e ka publikuar rregulloren që ka pesë faqe:

 

Ky UA është bërë mollë sherri në mes të Universitetit të Prishtinës dhe Ministrisë së Arsimit. Koha Ditore ka raportuar dje se si edhe pse Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është institucion publik autonom i arsimit të lartë, Senati i UP-së është dashur të mos e miratojë Rregulloren për avancime akademike javën e kaluar, meqë e kanë marrë një kërkesë të tillë nga ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Shyqiri Bytyqi.

Përmes kërkesës drejtuar rektorit Marjan Dema, ministri ka kërkuar që organet e UP-së të mos aprovojnë dokumente që lidhen me avancimet akademike me arsyetimin se MASHT-i është duke hartuar një udhëzim administrativ që do të adresojë çështjet e punimeve shkencore në nivel vendi.

Një kërkesë të tillë rektori e ka quajtur ndërhyrje në punën e Universitetit të Prishtinës dhe ka thënë se nuk ka informata për përmbajtjen e këtij udhëzimi administrativ.

I kontaktuar nga gazeta, ministri nuk është përgjigjur rreth kësaj kërkese drejtuar UP-së, derisa këshilltari i tij, Valmir Gashi, e ka arsyetuar duke thënë se kjo është bërë pasi MASHT-i është në finalizim të udhëzimit që do të merret me avancime akademike./koha.net/