Tahiri i gëzohet miratimit të buxhetit, 690 persona do të punësohen në sektorin e drejtësisë

E publikuar: 10/12/2017 19:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Drejtësisë, Aberlad Tahiri, ka thënë se miratimi në lexim të parë i Projektligjit për Buxhetin i jep mundësinë institucioneve të drejtësisë që të punësojnë edhe 690 persona, që sipas tij do të ndihmojnë në këtë sektor.

Në mesin e tyre, sipas Tahirit, do të ketë gjykatës, prokurorë e bashkëpunëtorë profesionalë të cilët do ndikojnë në uljen e numrit të lëndëve dhe shqyrtimin më të shpejtë të tyre. Pjesa tjetër do të jenë oficerë korrektues që, gjithnjë sipas ministrit, do rrisin sigurinë dhe performancën e trajtimit brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës.

“Nga dita e parë e mandatit tim kam punuar që në kuadër të buxhetit për vitin 2018 të ketë rritje të theksuar për Këshillin Prokurorial dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës, për t’i dhënë mundësi fuqizimit të sektorit të sundimit të ligjit dhe sot jam shumë i lumtur që një gjë e tillë u arrit”, ka thënë Tahiri.

Për të, miratimi i buxhetit në lexim të parë, është një lajm tejet inkurajues për mundësitë që po krijohen në adresimin e nevojave për një zhvillim të qëndrueshëm të vendit, përfshirë edhe fushën e drejtësisë.

“Me këtë rritje të buxhetit për sektorin e sundimit të ligjit që është më e larta në gjashtë vitet e fundit, po krijojmë mundësi konkrete për një sistem efikas të drejtësisë. Rrjedhimisht, 690 vende të reja pune do i bashkëngjiten këtij sektori, në mes tyre gjykatës, prokurorë, bashkëpunëtorë profesionalë të cilët do ndikojnë në uljen e numrit të lëndëve dhe shqyrtimin më të shpejtë të tyre, si dhe oficerë korrektues që do rrisin sigurinë dhe performancën e trajtimit brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës”, ka thënë tutje Tahiri.