S’ka sigurime shëndetësore, shuma prej 17 milionë euro u shkon veteranëve të UÇK’së

E publikuar: 17/10/2017 16:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qytetarët e Kosovës edhe për një kohë të pacaktuar do të mbeten pa sigurime shëndetësore. Mbledhja e premiumeve, pas shumë shtyrjeve, nuk pritet që të fillojë as këtë vit. Qeveria ka vendosur që shuma prej 17 milionë euro, e alokuar për sigurime shëndetësore, të destinohet për pagesat e veteranëve, njofton Gazeta Express.
Sigurimet shëndetësore nuk do të jetësohen edhe për një kohë. Kështu po thonë zyrtarë nga Qeveria e Kosovës, ndonëse projekti për këtë çështje ishte paraparë që të fillojë brenda këtij viti.

Por, ekzekutivi kosovar ka ndërruar mendje. Fondin prej 17 milionë euro, të alokuara për sigurimet shëndetësore e ka bartur dhe proceduar në buxhetin për pagesat e veteranëve të UÇK’së.

Në një përgjigje dhënë Gazetës Express, nga zyra për media e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, janë shprehur se Qeveria ka identifikuar 15 burime të mjeteve dhe në projektligjin për ndryshimin e ligjit për buxhetin 2017 si dhe ka alokuar mjetet e nevojshme për të përmbushur pagesat e pensioneve të veteranëve të UÇK’së.

“Mjetet nga këto burime janë marrë nga projektet të cilat ishin të parapara me buxhetin e vitit 2017 por të cilat nuk do të arrijnë të realizohen gjatë këtij viti, ose nga projektet të cilat kanë pasur kosto më të ultë se sa që janë ndarë me buxhet”, thonë zyrtarë nga Qeveria e Kosovës.

E, kjo e fundit ua ka shuar shpresat kosovarëve rreth jetësimit të projektit për sigurimet shëndetësore.

“Për shkak të moszbatimit të Ligjit për Sigurimet Shëndetësore, gjatë vitit 2017 është tërhequr kontigjenca për sigurimet shëndetësore me shumë prej 17 milionë euro”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.

Gazeta Express, gjatë ditës ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Shëndetësisë për të marrë më shumë informata rreth kësaj çështjeje, mirëpo ata ende nuk janë përgjigjur.

Ndërkaq, kryeministri Haradinaj, në mbledhjen e mbajtur dje me ministritë përkatëse, ka deklaruar se i ka kryer të gjitha procedurat për pagesat e veteranëve. Tash kjo çështje sipas tij kalon në kompetencë të Kuvendit të Kosovës që ta rishqyrtojë buxhetin në afat optimal.

Megjithëkëtë, kundër alokimit të mjeteve të sigurimeve për pagesat e veteranëve është shprehur edhe kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa Lumir Abdixhiku.

Ai thotë se ka votuar kundër një ndryshimi të tillë buxhetor.

“Një buxhet që merr prej shëndetësisë e u jep listave fallce prej militantësh – gjoja veteranë – nuk është buxhet i gjithë qytetarëve të Republikës. Prandaj dhe jam kundër”, ka deklaruar deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Abdixhiku.

E veteranët e UÇK’së, i kanë dhënë ultimatum drejtuesve të institucioneve dhe partive politike se nëse nuk i marrin pagat e tyre deri të premten, ata nuk do të dalin për të votuar në këto zgjedhje që do të mbahen të dielën dhe kërcënojnë edhe me organizmin e protestave para Kuvendit.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë së Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, në një intervistë dhënë sot kosovapressit, thënë se ka takuar kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli dhe i ka kërkuar që sa më parë të del në Kuvend projektligji për rishikimin e buxhetit 2017, ngase një ditë veteranëve do t’iu vjen fundi i durimit dhe nuk do të mund të presin kaq gjatë. Ai ka folur edhe për organizimin e protestave, sepse sipas Gucatit nuk do durojnë të mbështeten për muri.

“Ne kërkojmë nga ta që ta votojnë sa më shpejt, dhe t’ju lëshojnë mjetet veteranëve, sepse ka që tre muaj që nuk kanë marrë paga, si dhe ka prej tyre që nuk kanë para për ta marr një injeksion për fëmijët e vet apo për të. Pjesa dërmuese e tyre janë edhe të sëmurë. Protestat e organizuara në mënyrë individual e nuk i përkrahu kurrë në jetë”, theksoi ai.

Kujtojmë se Ligji për Sigurime Shëndetësore është hartuar qysh në vitin 2004, kurse ishte miratuar në vitin 2007. Por, pas rekomandimeve të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, ai ishte tërhequr dhe nuk kishte hyrë në fuqi për shkak të implikimeve buxhetore./GazetaExpress/