23 lagje të Prishtinës të prekur nga koronavirusi-260 raste aktive

E publikuar: 19/06/2020 23:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga 82 raste të reja me Covid-19 të konfirmuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, 41 janë nga kryeqyteti, shkruan Insajderi. 

Në lidhje me rastet e reja në Prishtinë ka dhënë detaje drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi.

Gashi ka deklarua se  për dallim nga rastet e mëhershme rastet e reja manifestojnë simptoma më të theksuara të Covid-19.

“Vlen të theksohet se nga fillimi i pandemisë në Komunën e Prishtinës kemi 336 raste të regjistruara me COVID-19, ndërsa 260 raste janë aktive të shtrira në 23 lagje të Prishtinës. Praktikisht në gjithë Prishtinën dhe në fshatrat Hajvali e Barilevë”, ka thënë Gashi në rtv Dukagjini.

Mes tjerash, ai ka theksuar se nga data 20-31 mars ka pasur 85 raste ndërsa nga 1 qershori deri më tani janë 251 raste.

“Është një rritje e shpejtë dhe një numër voluminoz për një kohë të shpejtë. Dhe kjo e bënë më shqetësuese situatën pasi kemi një numër të madh të rasteve në komunën tonë”, u shpreh ai.

Në total numri i të infektuarve ka arritur në 1.998 raste, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 980 raste me gjithsej 34 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese./Insajderi.org