2019-a do të duhej të jetë viti për një marrëveshje

E publikuar: 08/02/2019 09:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kyle Scott  & Phillip S. Kosnett

Guximi dhe kreativiteti i udhëheqësve në Athinë dhe në Shkup për ta zgjidhur mospajtimin, i cili zgjati me dekada, do të duhej t’i frymëzonte të gjithë në rajon.  Si ambasadorë të SHBA-së në Beograd dhe në Prishtinë jemi të bindur se udhëheqja politike e matur e vizionare mund të çojë te një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, marrëveshje që në thelb e ka njohjen e ndërsjellë.  Kjo e arritur do të vinte themelin për të ardhme më paqësore dhe më të begatshme për të gjithë popujt në këtë rajon.

Për këtë arsye sot bëjmë thirrje: është koha që Kosova ta pezullojë taksën, Serbia të përgjigjet në mënyrë konstruktive, që të marrin fund provokimet nga të dyja anët, Beogradi dhe Prishtina t’i kthehen dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe të dyja palët ta përqafojnë paqen guximshëm. Nëse e bëni këtë, jemi optimistë se mund të arrini një marrëveshje historike për normalizim më 2019-n.

E keni mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për t’ju ndihmuar që të keni sukses dhe të ndërtoni besimin e nevojshëm për ta ndërtuar dhe për ta zbatuar një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Para ca kohësh presidenti Trump u shkroi udhëheqësve, atij të Serbisë dhe atij të Kosovës, për t’i nxitur të dyja vendet “për ta shfrytëzuar këtë çast dhe për të treguar udhëheqje politike në marrjen e vendimeve që i marrin parasysh interesat e të dyja vendeve”. 

Presidenti Trump shtoi: “Do të ishte jashtëzakonisht për të ardhur keq nëse nuk shfrytëzohet kjo mundësi unike për paqe, për siguri dhe për rritje ekonomike”. Presidenti Trump ishte po aq i qartë edhe në fjalimin e tij gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara: udhëheqësit e përgjegjshëm e kanë për detyrë t’u shërbejnë qytetarëve të tyre.

Ne besojmë se një marrëveshje është e mundshme dhe shpresojmë të festojmë bashkë me ju, ashtu siç e festojmë guximin e prijësve grekë dhe maqedonas. Në fakt, presidenti Trump tashmë ka ftuar presidentin Vuçiq dhe presidentin Thaçi në Shtëpinë e Bardhë për të shënuar këtë të arritur sapo të ndodhë. Shtetet e Bashkuara nuk e caktojnë dhe nuk do të caktojnë se si duhet të duket zgjidhja, por besojnë se duhet të jetë e zbatueshme në Kosovë dhe në Serbi dhe duhet t’i kontribuojë stabilitetit afatgjatë të rajonit. U takon prijësve dhe ekipeve të tyre për t’i rifilluar bisedimet që udhëhiqen nga BE-ja për të hulumtuar çka është e mundshme dhe për të komunikuar në mënyrë të hapur me qytetarët e tyre – për të siguruar se negociatat pasqyrojnë vullnetin e popullit dhe për t’u ndihmuar për të tejkaluar ankthin dhe dyshimin.

E kuptojmë se kjo nuk është e lehtë. Nuk jemi të verbër përpara ngjarjeve historike dhe tensioneve të vazhdueshme që kanë sjellë te mosbesimi dhe keqkuptimi që e rëndojnë marrëdhënien. Për këtë arsye, çfarëdo marrëveshje duhet të jetë e gjerë dhe e leverdishme për të dyja anët, për t’u dhënë të dyja vendeve, Kosovës dhe Serbisë, hise në suksesin e saj. Kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara për të punuar me Serbinë dhe me Kosovën për të siguruar që të dyja anët në mënyrë efektive ta ndërtojnë dhe ta zbatojnë një marrëveshje të qëndrueshme. Hapat e kohëve të fundit të ndërmarrë si nga Beogradi, po ashtu edhe nga Prishtina që ngrenë tensionet duhet të ndalen nëse do të ketë ndonjë shpresë për të mundësuar paqe, mbarësi dhe drejtësi të përhershme në rajon. Nëse të dyja anët dështojnë për ta shfrytëzuar këtë mundësi rrezikoni ta humbisni mundësinë më të mirë në një brez.