20 mijë bashkatdhetarë pritet të mbërrijnë në Kosovë, Zemaj apelon për kujdes të shtuar

E publikuar: 03/10/2020 15:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjatë 4 ditëve të ardhshme në Aeroportin e Prishtinës do të arrijnë rreth njëzet mijë bashkatdhetarë. Me këtë rast ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka bërë thirrje menaxhmentit në ANP që të kenë kujdes të shtuar ndajë diasporës dhe të ketë mbarëvajte të mirë sa i përket respektimit të masave anti Covid.

Përtmes një statusi në Facebook, Zemaj ka thënë se Kosova tashm është në mesin e 7 vendeve të Evropës që kanë menaxhuar më së miri situatën epidemiologjike, andaj ka shtuar se ky është motiv shtesë për punën dhe angazhimin e mëtejmë të gjithësecilit.

Ky është statusi i tij i plotë:

Gjatë 24 orëve të fundit, 56 qytetarë e kanë fituar betejën me virusin Covid 19, ndërsa pozitiv kanë rezultuar 52.

Të nderuar qyetetarë të Republikës së Kosovës,

Po vazhdojmë të jetojmë me një realitet të ri të krijuar që nga marsi i këtij viti e do të vazhdojmë të jetojmë me të edhe për disa kohë sepse askush në botë nuk e ka të qartë deri kur do të kemi pandemi.

Deri te kjo situatë e menaxhueshme që e kemi, e kemi arrit së bashku, duke marrë përgjegjësi, por edhe duke ndarë ato me akterët tjerë të rëndësishëm për luftimin e Covid 19.

Tashmë jemi dëshmitar që në dy javët e fundit, jemi në mesin e 7 vendeve të Evropës që kanë menaxhuar më së miri situatën epidemiologjike. Ky është motiv shtesë për punën dhe angazhimin e mëtejmë të gjithësecilit.

Kjo situatë e menaxhueshme është duke i dhënë mundësinë që planet dhe strategjitë t’i përgatisim në mënyrë të shpejtë për fazën tjetër, të vjeshtës dhe dimrit për parandalimin e infektimit me COVID-19.

Gradualisht, kemi lehtësuar masat, por edhe kemi shtuar në terren inspektorë sanitarë në mënyrë që asgjë mos t’i lihet rastit dhe nga neglizhenca e ndokujt të kemi situatë jo të dëshirueshme.

Kam theksuar dhe theksoj përsëri, që nga lirimi i masave se nuk do të ketë më vërejtje por reagim të fortë ndaj kujtdo që nuk respekton masat anti Covid.

Të nderuar bashkatdhetarë,

Tashmë pritet se brenda 4 ditëve të ardhshme në aeroportin e Prishtinës do të arrijnë rreth njëzet mijë bashkatdhetarë, andaj i bëj thirrje menaxhmentit në ANP që të kenë kujdes të shtuar ndajë diasporës dhe të ketë mbarëvajte të mirë sa i përket respektimit të masave anti Covid.

Me qëllim të shkëmbimit të praktikave më të mira kundër Covid 19 dhe asistencë të ndërsjellë për përballimin e situatës së shkaktuar nga koronavirusi, dje në Tiranë kemi nënshkruar edhe marrëveshjen me znj. Orgeta Manastirliu, Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtes Sociale.

Kemi mirëpritur vedimin e shtetit Zvicran për të larguar karantinen për bashkatdhetarët që kthehen në Zvicër dhe vlefshmërinë e testeve tona që ka bërë ekipi i ekspertëve epidemiologjikë të institutit gjerman të shëndetit publik “Robert Koch Institute”.

Shifrat na tregojnë se nga 17 shtatori e deri më sot, 3 tetor 2020, janë testuar gjihsejt 10,090 qytetarë, betejën ndaj virusit e kanë fituar 1,833 pacientë ku kanë rezultuar pozitiv 918 raste, ndërsa 26 raste të vdekjes.

Këto janë rezultatet që dallojnë shumë nga dy javët e mëparme dhe dëshmojnë se vetëm me përkushtim të përbashkët do ta mundim virusin.

Vjeshta dhe dimri do të na gjej shumë më të përgatitur, në infrastrukturë, kapacitete humane, testim, vaksinim e shumë aktivitete tjera që mund të ndihmojnë në ruajtjen e shëndetit të qytetarëve tanë.

Bashkë ia dalim!