2 milionë euro më shumë për veteranët në buxhetin e 2019-ës

E publikuar: 01/11/2018 13:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përderisa muajt e fundit u diskutua shumë çështja e veteranëve të rrejshëm, sidomos pas dorëheqjes së prokurorit Elez Blakaj, që po e hetonte këtë proces, Qeveria e Kosovës në buxhetin e popozar për vitin e ardhshëm ka vendosur të rrit shifrën për gati 2 milionë euro më shumë.
Qeveria e Kosovës ka miratuar draft-buxhetin për vitin 2019 gjatë javës së kaluar. Në këtë draft-buxhet, për Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale janë paraparë të ndahen 60 milionë e 571 e 776 euro për pensionet e veteranëve.

Shifra e paraparë të ndahet për vitin e ardhshëm është 1 milion e 821 mijë e 776 euro më shumë se buxheti i vitit 2018-të.

Gjithashtu kjo shifër është paraparë të rritet edhe më shumë vitin deri në 2020. Sipas këtij draft-buxheti në 2020 pritet të shpenzohen rreth 5 milionë euro më shumë se në 2018 vetëm për pensionet e veteranëve, shkruan Kallxo.com

Projeksionet për 2020 dhe 2021 sipas draft-buxhetit të Ministrisë së Financave për këtë kategori kanë paraparë t’i shpenzojnë 63 milionë e 671 mijë e 776 euro.

Së fundi në Kosovë është zhvilluar një debat i ashpër sa i përket çështjes së veteranëve të luftës dhe mundësisë së fryrjes së listave.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë për fryrjen e listave. Në aktakuzën e përgatitur nga ish-prokurori Elez Blakaj pretendohet se janë mbi 20 mijë veteranë të rrejshëm nga rreth 60 mijë sa janë të regjistruar.

Çështja e numrit të veteranëve ka qenë temë diskutimi edhe në mes të presidentit Hashim Thaçi dhe Kryeministrit Ramush Haradinaj.