Të hënën pritet të zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit të Maqedonisë

E publikuar: 25/03/2017 21:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë paralajmëron se të hënën përvec zgjedhjes së Kreut të Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime do të zgjedhet edhe kryeparlamentari i ri. Sipas partisë së Zoran Zaevit shumica prej 67 deputetëve është e mjaftueshme për të përfunduar konsitutimin e Kuvendit të lënë përgjysmë më 30 dhjetor të vitit të kaluar.

Sipas Rregullores së Kuvendit, të hënën pasi të votohet përbërja e Komisionit në seancë plenare prezantohen propozimet e partive për kryetar Kuvendi. Propozimet do të shqyrtohen nga Komisioni për zgjedhje dhe emërime, kreu i të cilit duhet të thërrasë vazhdimin e seancës për të zgjedhur kreun e Kuvendit. Në rast se ky hap pengohet nga VMRO-DPMNE-ja, ekspertët shpjegojnë mekanizmat e tjera ligjore.

Ndër emrat më të përfolur deri më tani për kryetar Kuvendi është deputeti i BDI-së Talat Xhaferi. Këtë ditë më parë e konfirmuan edhe nga BDI. Xhaferi përveç LSDM-së, do të ketë edhe mbështetjen e Aleancës për Shqiptarët. Ndonëse nuk e konfirmojnë, nga Aleanca për Shqiptarët thonë se kanë refuzuar që posti në fjalë t’i takojë kreut të LR PDSH-së Ziadin Sela dhe se nuk kanë plan për të propozuar emër kandidati për kryetar Kuvendi.

Ndërkohë Lëvizja Besa si parti nënshkruese e deklaratës së përbashkët të partive shqiptare ka njoftuar se do të propozojë kandidatin e saj për kryetar Kuvendi, por gjithnjë duke lënë hapësirë që ky vendim të shqyrtohet. Nga VMRO-DPMNE-ja nuk tregojnë nëse Xhaferi do të marrë edhe votat e deputetëve të tyre për marrjen e detyrës së kryeparlamentarit, ose do të propozojnë kandidatin e tyre.