Nikolliq: Beogradi nuk flet me kërcënime, me armë dhe me polici

E publikuar: 24/01/2017 21:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq, i cili ka dalë nga takimi me shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, për t’i dhënë dekaratë televizionit shtetëror të Serbisë, tha se që në fillim të bisedimeve, Mogherini ka vënë në dukje “bllokadën në bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë”.

Sipas Nikolliqit, Mogherini ka vënë theksin mbi “detyrimet e papërmbushura të Prishtinës dhe në probemet e serbëve”.

“Kemi folur për atë që ka ndodhur në veri të ‘Kosovës dhe Metohisë’, kur një tren me mbishkrime, të cilat ne mendojmë se mund t’i vëmë, sepse ai është territori ynë dhe ashtu shkruan në Kushtetutën tonë – që askush nuk na e ka hequr as zyrtarisht, as jozyrtarisht – është bërë subjekt i shkatërrimit nga ana e disa njësive speciale të Kosovës, të cilat nuk është dashur të gjenden aty”, tha Nikolliq.

Sipas tij, “Beogradi kurrë nuk ka folur me kërcënime, me armë dhe me polici, kur shqiptarët kanë promovuar jo vetëm pavarësinë e Kosovës, por edhe Shqipërinë e madhe”.

“Të gjithë e kanë atë që mbajnë në zemër. E dimë se politikanët shqiptarë kanë në zemër pavarësinë e Kosovës dhe unë nuk kam asgjë kundër. Ne duam të jemi autoritet në ‘Kosovë e Metohi’; e dimë se kjo është e pamundur derisa ky territor është nën kontrollin e Kombeve të Bashkuara”, tha Nikolliq.

Udhëheqësit më të lartë të Kosovës dhe Serbisë takohen sonte në Bruksel, me ftesë të Mogherinit.

Takimi është thirrur si një përpjekje e BE-së për t’i ulur tensionet midis dy palëve.

Më 14 janar, Kosova ka ndaluar një tren të nisur nga Beogradi, të hyjë në territorin e saj. Treni, me mbishrimin “Kosova është Serbi” dhe me simbole kishtare mesjetare, është parë si provokim në Prishtinë.

Një ditë pas ndalimit të trenit, Nikolliq ka thënë se ky veprim i Kosovës ka treguar se ajo dëshiron luftë me Beogradin./rel/