194 punonjës të policisë u hetuan nga Inspektorati Policor i Kosovës

E publikuar: 20/02/2019 15:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeshefja e Inspektoratit Policor të Kosovës, Miradije Kelmendi, sot ka raportuar në lidhje me Rastin e zyrtarit policor të Drenasit. Fillimisht u kërkua që ky takim të jetë i mbyllur, mirëpo Kelmendi e ka vazhduar të hapur për media raportimin mbi punën e IPK’së për vitin 2018

Gjatë këtij raportimi, Kemendi ka bërë të ditur se në vitin 2018 IPK’ja ka hetuar gjithsej 194 punonjës të Policisë së Kosovës. Ajo tha se në vitin 2018 Inspektorati Policor i Kosovës ka trajtuar rreth 1400 ankesa dhe informacione për sjelljen e punonjësve të Policisë së Kosovës. Sipas saj gjatë vitit 2018 janë hetuar gjithsej 194 punonjës të policisë, janë kryer 12 arrestime, 50 suspendime, 10 transfere për shkak të hetimeve. Si sfidë për këtë institucion, Kelmendi ka cilësuar pozicionin e IPK-së, statusin e punonjësve të saj në nivelin e pagave dhe mungesën e burimeve njerëzore.

Ndërkaq anëtari i komisionit, Rexhep Selimi, ka kërkuar të dijë se sa zyrtarë policorë janë akuzuar dhe arrestuar për marrje të ryshfetit. Zyrtarët e IPK-së bënë të ditur se vetëm një zyrtar policor është arrestuar për këtë vepër penale në vitin 2018.

Deputetja Aida Dërguti, e cila kërkoi të dijë më shumë rreth çështjes së policëve që janë përfitues të pensionit invalidor si veteranë të luftës.

Kryeshefja e Inspektoratit Policor të Kosovës tha se 148 zyrtarë policorë do të intervistohen nën dyshim se kanë kryer veprën penale mashtrim për pensionet invalidore. Ndërsa, Xhelal Sfeqla pyeti se sa zyrtarë të IPK-së janë nën hetime, nën aktakuzë, të suspenduar dhe të larguar gjatë vitit 2018. Kelmendi tha se tre zyrtarë të inspektoratit janë suspenduar dhe ndaj dy prej tyre është ngritur aktakuzë./Express