Familja Jashari ka një porosi për krerët politikë

E publikuar: 06/03/2016 20:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në përvjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, familja Jashari i bënë thirrje për përgjegjësi e maturi klasës politike në Kosovë. Lulzim Jashari, djali i komandantit Adem Jashari, konsideron se 17 vjet pas luftës, Kosovës po i hapen plagë panevojshme.

“Në një moment të caktuar, i madhi Sami Frashri do të thoshte: Gjithsecili është detyruar t’i shërbej atdheut të tij pa shpërblim. Nuk është për të qortuar edhe ai që i shërben atdheut të tij dhe shpërblehet. Por, nuk ka poshtërsi më të madhe sesa të vësh atdheun në rrezik për interesa personale. Andaj, i bëjmë thirrje klasës politike, për maturi e përgjegjësi ndaj shtetit të Kosovës”, ka thënë Jashari.

“E themi me keqardhje që 17 vjet pas luftës Kosovës po i hapen plagë të panevojshme. Nuk është koha për krekosje e lavde. Nuk është koha t’i marrim Kosovës, por t’i japim asaj. Mos të shesim shpirtin për hir të shijes së gojës. Për hir të të pamurit të syrit dhe dhimbjeve të trupit. Nderi dhe lavdia u takon heronjve, dëshmorëve e martirëve. Ndërsa ne puna dhe detyra për shtet ndërtim”, ka shtuar ai më pas.

Duke thënë se dita e sotme e përkujtimit të marsit, është ditë historike, Jashari tha se të gjallëve u mbetët të punojnë dhe sakrifikojnë më shumë, në mënyrë që të çojnë në vend amanetin e brezave.
“Këtë askush nuk mund të na mohojë”, tha ai.

Këto komente, Jashari i bëri në akademinë përkujtimore në Prishtinë, që u mbajt për nderë të rënies heroike të familjes Jashari në Prekaz.