Visar Ymeri: Rast i ndikuar politikisht, presion ndaj dëshmitarëve

E publikuar: 02/03/2016 16:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

 

Ka përfunduar edhe dëshmia e Visar Ymerit në seancën gjyqësore që ka filluar sot në Pallatin e Drejtësisë ku Ymeri së bashku me deputetin Rexhep Selimi dhe një aktivist Besart Bujupi akuzohen se e kanë sulmuar fizikisht deputetin e PDK-së Bekim Haxhiu.

Gjatë fjalës së tij Ymeri vlerësoi se Prokuroria po selekton rastet e të cilat sipas tij po nxitet kontrolli politik në gjyqësi.

Sa i përket seancës së sotme Ymeri tha se ka pasur shkelje procedurale pasi që palës së akuzuar nuk u janë dhënë provat.
Sikurse Selimi po ashtu edhe Visar Ymeri këtë proces gjyqësor e ka quajtur të ndikuar politikisht. Ai tha se dëshmitarët që dëshmuan sot kanë qenë në trysni.

Seanca kundër deputetëve të Vetëvendosjes do të mbahet më 21 mars me fjalët përfundimtare të palëve të përfhirha në këtë proces.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri, deputeti Rexhep Selimi, ish deputeti Florin Krasniqi dhe Besart Bujupi akuzohen se më 28 qershor të vitit 2012 kanë rrahur deputetin e PDK-së Bekim Haxhiu.

Në të njëjtën ditë në një rast të ngjashëm ka qenë i përfshirë edhe ish deputeti i PDK-së Latif Gashi por që ai nuk përmendet në aktakuzë.

Më herët gjatë dëshmisë së tij deputeti Rexhep Selimi ka mohuar ta ketë rrahur Haxhiun, ndërsa Haxhiu si prova ka sjellë ekspertizën mjekësore me anë së cilës dëshmohet se Haxhiu është sulmuar fizikisht.