15-vjeçari që u dhunua nga policia: Më goditën me grushte e shqelma, më pas më vendosën duart në fyt

E publikuar: 18/05/2020 15:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Videoja e një 15-vjeçari, që dhunohej nga ekfektivët e policisë, në afërsi të Liqenit Artificial në Tiranë, tronditi mbarë opinionin publik.

I mituri, i identifikuar me emrin Serand, është i biri i Zaida Çobos, e cila njihet nga të gjithë për pjesëmarrjen e saj në “Big Brother Albania”, disa vite më parë. Zaida u shpreh se i biri, Serandi, është tepër i dashur. Ai shpesh sipas saj ndihmon dhe të moshuarit. Ajo që e ka shqetësuar më shumë Zaidën, është fakti se si policia ka dhunuar një 15-vjeçar. Për këtë ajo thotë se ka ngritur dhe një proces gjyqsor dhe nëse nuk do të gjejë zgjidhje në Shqipëri, shprehet e gatshme për ta drejtuar çështjen në Gjykatën e Strasburgut (Gjykata e të Drejtave të Njeriut).

“Fëmija im është marrë me sport, këtë kohë e ka kaluar me rrjete sociale. Fëmija im i merr çantat nga duart të moshuarve dhe i ndihmon ato. Ti mua nuk më njeh dhe unë do të kërkoj të drejtën time, kaq i ka thënë djali policisë. Ajo që më lëndoi më tepër është pjesa e njerëzimit. A trajtohet fëmija kështu? Por njerzillëku ku është? Kjo më ka lënduar më së shumti. Po e kam ngritur si çështje. Në qoftë se mua shteti shqitpar nuk më bën rrugëzgjidhje do ta dërgoj deri në Gjykatën e Hagës. Sot i ndodhi fëmijës tim, ndërsa nesër i ndodh fëmijës së një tjetri. Nuk më bëri përshtypje fakti që njëri polic u pezullua, por si policëve nuk i ka dalë asnjëlloj emri, ndërsa djalit tim i ka dalë emër mbiemër. Serandi ka lexuar disa komente dhe është ndier keq. Duke iu referuar komenteve 99% janë pro Sarandit dhe 1 % pro policisë”, u shpreh Zaida.

Serandi, u shpreh se policët e kanë goditur me grushta e shqelma në kokë. Ndërsa në momentin që e kanë shoqëruar për në komisariat, sipas tij, polici që e dhunoi i ka vendosur duart në fyt. Po ashtu ai shtoi se nuk e ka goditur policinë, por thjesht nuk ka zbirtur nga biçitleta sepse e kishte të një shoku. Paragjykimet e shqetësojnë më së tepërmi atë, sepse thotë se në rrugë i thonë “shiko ai djali që e rrahën”.

“Nuk e di kam shenja sepse e kam mbajtur me akull, por dhimbje kam akoma. Më kanë goditur me grusht dhe me shqelm në kokë. Në makinë më ka vendosur duart në fyt, polici që më dhunoi. Unë vajta nga piramida tek liqeni. Nga piramida kam takuar Flavion një shokun tim dhe ai më ka drejtuar nga liqeni. Unë nuk kam goditur asnjërin. Unë thjesht nuk kam zbritur nga biçikleta spese e mora me mirëbesim nga shoku im dhe prandaj nuk kam lëvizur. Kur eci rrugës më thotë ky djali që e kanë rrahur. Ka edhe nga ata që flasin edhe për keq”, tha Serandi.

Juristi Ledio Braho, e dënoi dhunën e policisë dhe u shpreh se në aspekt ligjor ajo mund të klasifikohet si torturë. “Ajo dhunë është parë vetëm në dokumentare apo në SHBA”, thotë Braho. Ndërsa pasojat që arrijmë në të tilla situata, Braho i shikon si mungesë të informacionit të policëve në lidhje me rregulloren e punës.

“Unë u njoha me ngjarjen në rrjete sociale. Aty dëgjoheshin dhe zërat e efektiveve të policisë që shanin. Nga mënyra që sjell video,  nga ana ligjore kjo klasifikohet torturë. Sepse janë veprime që kryhen me dashje dhe kanë shkaktuar dëme fizike dhe psikologjike të të miturit. Aty nuk kishim një lloj reagimi ndaj të miturit për të përdorur dhunë. Kjo skenë  shihet vetëm në dokumentare  dhe SHBA. Aty ishin katër apo pesë policië që po dhunonin një të mitur. Nuk kemi parë në Shqipëri. Nuk ka arsye për ta shoqëruar në komisariat. Vetë fakti që është i mitur duhet të përjashtonte nga dhuna në çdo rast. Mund të shkojë dëmi deri në 20 apo 30 milionë lekë të reja. Imagjinoni se sa raste të tilla do të ketë policia e shtetit dhe që nuk ndodhin në publik por në komisariate. Unë kam pyetur policë nëpër gjyqe për njohjen e etikës dhe i duket si një gjuhë e huaj. Policit shqiptar i duket nomrlae të dhunojë një të mitur”, u shpreh juristi.