Kush janë gratë qe po “kullosin” fondet, sipas Isa Mustafës

E publikuar: 20/02/2016 22:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri Isa Mustafa, ka publikuar një postim të diskutueshëm në llogarinë e tij në Facebook.

Jo shumë kohë pasi e ka rihapur profilin në këtë platformë elektronike, Mustafa, në një koment të tij përkrahës për ambasadorin amerikan Greg Delawie, ka përmendur edhe Organizatat Jo Qeveritare dhe “gratë që kullosin fonde nga ndërkombëtarët”, njofton Klan Kosova.

“Amerika nuk e lëshon (Kosovën), sepse pjesa dërmuese e qytetarëve të Kosovës e duan Amerikën. Ata që ‘frikësohem’ se mos po e lëshojnë Kosovën pasi i ka lëshuar mendja, janë disa gra që i kanë kullotë të gjitha fondet e mundshme nga perëndimi”, shkruan Mustafa.

Kryeministri vazhdon: Frikësohem “mos po i braktisin burrat e tyre e po shkojnë në Kore të Veriut (sepse as Kuba nuk i pranon)”.

“Apo disa OJQ-ista nacionalistë ,mos po turren kah lindja”, shkruan jo fortë kuptueshëm Mustafa, duke e pamundësuar të hetohet se për çfarë saktë e kishte fjalën.

Mesazhi i udhëheqësit të Qeverisë vjen pas një reagim të publikuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës, të shtunën, përmes të cilit Grupi i të drejtave të grave dënoi dhunën e përdorur ndaj deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, e cila u lëndua nga personeli i sigurimit në Parlamentin e Kosovës, derisa refuzonte të lëshonte ambientet e Kuvendit.

Shkrimin e Mustafës e ka komentuar drejtori i Institutit GAP, Agron Demi.

“Duket se Kryeministri ka një nënçmim patologjik ndaj grave”, shkruan Demi. “Përveç se udhëheq një Qeveri të përbërë mbi 90% burra, përveç asaj që si udhëheqës i Qeverisë ka zgjedhë 90% të anëtarëve të bordeve publike burra, është hera e tretë që me statuset e tij fyen gratë në mënyrën më të ulët të mundshme”, ka shkruar Demi në Facebook.

Edhe Tinka Kurti, zyrtare për media e Lëvizjes Vetëvendosje, ka reaguar po në Facebook, kundrejt shkrimit të Mustafës.

“Kryeministër, edhe ti je kriminel. Gratë nuk kullosin. Këtë lajm përcille në Qeverinë tende seksiste”, shkruan Kurti.

Kjo nuk është hera e parë kur adresimi i Mustafës përmes Facebook-ut krijon huti.

Madje kryeministri në tetor të 2015-ës, kishte çaktivizuar llogarinë e tij në Facebook, duke thënë se disa nga komentet nuk i kishte shkruar vet dhe se ishte cak i sulmeve kibernetike.

Mustafa në Facebook tërthorazi e kishte quajtur ish-liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, gomar. Më pas kishte thënë që i kërkon falje gomarit për këtë krahasim.

Kryeministri kishte pasur edhe një duel fjalësh me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajn, të cilit i kishte përmendur “Liqenin e Radoniqit”, por duke qenë i turbullt në referencën e tij, njofton Klan Kosova.