“Troja” s’mund të dalë jashtë Kosovës për koncertin e 28 Nëntorit (Foto)

E publikuar: 27/11/2015 21:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në koncertet e “Trojës” asnjëherë s’ka festë. Siç thotë vokalisti i bendit, ato janë protesta më paqësore që mund të ketë në botë.

“Qëllimi ynë me koncertet tona është që përmes një proteste super paqësore të dërgojmë mesazh te njerëzit që kanë kompetenca, të mbledhim njerëz të nivelit intelektual që i kuptojnë performancat tona, të prekim një audiencë”, thotë Bujar Berisha. Me këtë qëllim, rock – bendi i njohur kosovar ia kishte mësyrë Zvicrës.

“Troja live në Cyrih” ishte paralajmërimi për koncertin që do të duhej të mbahej në ditën e 28 Nëntorit. Por organizatorëve do t’u duhet t’i kthejnë prapa ata që janë interesuar të marrin pjesë në performancën që parashihej të mbahej në një klub të quajtur “Blok”.

“Troja” s’ka mundur të kalojë kufijtë për koncertin me të cilin do të shënohej përvjetori i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Ambasada e Zvicrës në Prishtinë ua ka caktuar për datë 10 dhjetor terminin për marrjen e vizave. E koncerti do të duhej të mbahej të shtunën mbrëma. Kësisoj, telashet për sigurimin e vizave janë bërë shkak që krijuesit e hitit të vitit të kaluar “Demokraci”, të anulojnë koncertin në qytetin zviceran, transmeton koha.net.

Kjo do të ishte hera e parë që “Troja” do të performonte në Zvicër. Por “Demokraci” – që mes tjerash në tekst pyet ‘qysh thirret sistemi ku nuk ka hiç demokraci’ – me këtë ngjarje, siç thotë edhe Berisha, ajo ka marrë një tjetër kuptim. Me këtë këngë, “trojanët” e kishin pasur në plan ta hapnin koncertin në Cyrih.