Shansi ynë i fundit në hapin e tyre të parafundit

E publikuar: 20/11/2015 15:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në teori përmenden posaçërisht dy modele kushtetuese në një rregullim shtetëror demokratik. I pari është modeli i drejtësisë që nënkupton si bazë të drejtat e qytetarëve që do të duhej t’i sigurojnë ata nga sulmet dhe abuzimet e shtetit. Kurse, i dyti, është ai i konsensusit: ndarja e pushtetit, zgjidhja federale, ideja e Lijphartit për ‘demokracinë konsensuale’ që ka për qëllim stabilitetin dhe autonominë kulturore. Më tutje, në modelin e parë zakonisht ke një popull shumicë që vendos themelin dhe emrin e ngrehinës shtetërore por vullneti i të cilit kufizohet nga të drejtat e pakicave. Ndërkaq, te modeli i dytë që rregullisht përvetësohet nga shtetet e ndryshme federative kemi elementet e veçanta përbërëse si popuj a kombe pak a shumë të barabartë nën një kulm të përbashkët. Në rastin e parë, të drejtat e njeriut, të drejtat civile dhe ato politike shërbejnë herë si amortizues e herë vetëm si maskë e dominimit të shtetit komb. Në rastin e dytë, vazhdimisht kërkohen balanse delikate në mënyrë që forcat e veçanta centrifugale të mos e tejkalojnë gravitacionin e përgjithshëm të sistemit shtetëror.
Nga shkatërrimi i Jugosllavisë federative që nisi në fund të shekullit të kaluar dolën këto shtete kombe: Sllovenia, Kroacia, Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia. Këto shtete janë para së gjithash shtete të sllovenëve, kroatëve, malazezëve, serbëve dhe maqedonasve, ndonëse në Mal të Zi malazezët janë veçse pakica më e madhe që përbën rreth 40% të popullsisë, në Maqedoni së paku një e treta e popullsisë janë shqiptarë, kurse në Serbi së paku 18% e popullsisë nuk janë serbë. Në anën tjetër, kemi edhe Bosnje dhe Hercegovinën e cila e pësoi më së shumti gjatë luftës por u bë një shtet federativ në të cilin një e treta e popullsisë që ishin serbë fituan gjysmën e territorit përmes Republikës serbe atje. Për të qenë më keq se kaq, Republika serbe sot e ka shndërruar Bosnje dhe Hercegovinën në një shtet jofunksional i cili po shkon drejt dështimit të sigurt. Marrëveshja e Daytonit e cila para dy dekadash ishte sajuar për ta ndalur luftën nuk po arrin ta mirëmbajë Bosnjen e për pasojë nuk do të arrijë ta mbajë as paqen.
Po Kosova, ku ndodhet në këtë mes vendi ynë i dashur? Kah po shkon njësia e dikurshme e federatës jugosllave ku filloi dhe (ende nuk) përfundoi shkatërrimi i Jugosllavisë? Cila është pozita dhe ardhmëria e shtetit që shpalli pavarësinë para gati tetë vjetësh? Kosova rrezikon të federalizohet përmes ‘Zajednicës’ së Serbisë duke iu bashkuar kështu Bosnjës, këtij shteti të par(e)alizuar e për të cilin diplomatët kurreshtarë vëjnë baste nëse do të shpërthejë para dështimit apo do të dështojë para shpërthimit. Nga të gjitha shtetet që dolën nga ish Jugosllavia, Bosnja dhe Kosova po mbeten humbëset më të mëdha: pa integritet territorial e sovranitet, me qytete të ndara si Mostari e Mitrovica, me nga një Serbi të vogël brenda si ‘Republika Srpska’ dhe ‘Zajednica’, me sundim ndërkombëtar sipër që s’të jep llogari, dhe, me papunësinë e varfërinë më të lartë në rajon. Dy shtetet kombe që të parat dolën nga ish Jugosllavia, Sllovenia e Kroacia tashmë janë bërë anëtare të Bashkimit Evropian. Tri shtetet kombe të tjera, Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia janë asaj rruge. Bosnja dhe Kosova po ngelin në klasë, në të njëjtën klasë, me të njëjtën mënyrë. Sepse Kosova po e ndjek Bosnjen hap pas hapi.

Bashkësinë e 14 komunave të tyre në Bosnje, me planifikimin dhe ndihmën e Beogradit, serbët atje e formuan më 26 prill 1991. Më 9 janar 1992, ata e shpallën pavarësinë kurse me 28 shkurt 1992 e miratuan kushtetutën e tyre. Ndërkombëtarisht kjo u njihet me 14 dhjetor 1995 në Marrëveshjen e Daytonit, pas negociatave të cilat për çështjet e brendshme të Bosnjes, Alija Izetbegoviq i zhvilloi me Milosheviqin dhe Tugjmanin në Ohio të ShBA-ve. Ajo që u arrit në Bosnje dhe Hercegovinë përgjatë luftës e me luftë për katër vite e gjysmë, në Kosovë po realizohet më ngadalë në paqe. Le të themi, më së voni prej 2 shkurtit të vitit 2007 kur në Prishtinë ateroi Plani i Ahtisaarit që formonte dhjetë komuna të reja me shumicë serbe, e deri në ditët e sotme kur po përpiqen ta instalojnë ‘Zajednicën’ që i bashkon këto komuna në një pushtet paralel të një formacioni të ri. Pra, Serbia njëherë i ndau territorialisht dhe administrativisht serbët e Kosovës nga Kosova dhe tani po i bashkon ata, sërish territorialisht e administrativisht, kundër Kosovës. Kësisoj, Kosova i është nënshtruar forcave centrifugale teksa serbët e Kosovës atyre centripetale, gjë që po shprehet në pavarësinë pa substancë të Kosovës dhe në autonominë substanciale të ‘Zajednicës’.

Në këtë orvatjen federalizuese për shtetin e Kosovës përmes ‘Zajednicës’, sigurisht që duhet të shtypet shumica shqiptare e të fuqizohet pakica serbe. Kosova edhe mund të quhet vend e popullsi multietnike, por ajo s’mund të bëhet shtet multietnik pa dhunë mbi shqiptarët të cilët janë jo vetëm popullsi shumicë por përbëjnë plot 92% të popullsisë. Me 92% shqiptarë e me 6% serbë nuk ka kuptim ‘Zajednica’. Vetëm kur në ekuacion e fut edhe Serbinë, dialogun pa kushte me të dhe aspiratat e saj hegjemoniste, e sidomos me mirëkuptimin ndërkombëtar për mosnjohjen që Serbia ia bën pavarësisë së Kosovës, vetëm atëherë 6% serbë nuk janë më 6% por bëhen nja 25% me të drejtë vetoje. Asisoj, Serbia del e fituar në Kosovë edhe më shumë sesa në Bosnje: atje 33% të popullsisë fituan 49% të territorit, këtu 6% të popullsisë po fitojnë afër 25% të territorit.

Republikën serbe në Bosnje boshnjakët dhe kroatët e Bosnjes sigurisht se nuk mund ta heqin pa një luftë të re e ndoshta as edhe me një luftë të re. Natyrisht që ‘Zajednica’ e Serbisë në Kosovë nuk është identike me Republikën serbe në Bosnje. ‘Zajednica’ është para-shtet, tash për tash më i ngjashëm me ato që quheshin ‘Srpska Autonomna Oblast’ në Kroaci, si psh. Krajina, sesa me Republikën serbe në Bosnje. Mirëpo, ‘Zajednica’ është vetëm një hap larg Republikës serbe në Bosnje dhe për këtë hap asaj nuk do t’i duhet më Kosova. Qeveria e Kosovës i nevojitet Serbisë për ta bërë ‘Zajednicën’, ndërsa mandej nuk do t’ia ketë nevojën asaj për ta shndërruar ‘Zajednicën’ në Republikë Serbe. Me lidhjen politike dhe financiare me Serbinë, me kompetencat vendëse e ndërkombëtare që i fiton, me institucionet dhe administratën e saj, me përfaqësuesit dhe simbolet që do t’i përcaktojë vetë, ‘Zajednica’ ecën vetë në hapin e saj të fundit drejt edhe një Republike tjetër serbe në Ballkan. As Presidentja, as Qeveria dhe as Kuvendi i Kosovës nuk do të mund ta shpërbëjnë dhe as shuajnë ‘Zajednicën’ e Serbisë në Kosovë. ‘Zajednicën’ mund ta ndalim tash dhe vetëm tash, në hapin e saj të parafundit, e jo më vonë në hapin e saj të fundit. Ta parandalosh ‘Zajednicën’ në hapin e saj të parafundit do të thotë ta mbrosh Republikën e Kosovës. Ta ndalosh ‘Zajednicën’ në hapin e saj të fundit do të thotë të shfaqesh si një agresor i pamundur.

Përfundimisht, ose do të rrojë Republika e Kosovës ose do të instalohet ‘Zajednica’ e Serbisë, dmth. ose do të bëhet Republika e tretë e Kosovës (si republikë-për-zhvillim, pas republikës-për-rezistencë të 2 korrikut 1990 dhe republikës-për-shitje të 17 shkurtit 2008) ose do të bëhet republika e tretë serbe në Ballkan (si ‘Zajednicë’, pas Republikës serbe në Bosnje dhe vetë Republikës së Serbisë).