13 persona me gripin sezonal, katër prej tyre të shtrirë në Klinikën Infektive

E publikuar: 21/01/2020 11:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Tre personat e prekur nga gripi sezonal ‘Influenca A’, janë duke vazhduar të marrin trajtimin mjekësor në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, mirëpo gjendja e tyre shëndetësore këtyre ditëve nuk ka pasur përmirësime.

Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, Sadije Nimani, infektologe në Klinikën Infektive të QKUK-së.

“Në kujdesin intensiv momentalisht kemi katër raste: tri të konfirmuara për Influencën A dhe i fundit ende i pakonfirmuar, mosha e tyre është 50, 46, 39 dhe 27, janë në kujdes intensiv dhe nuk kanë pasur ndonjë përmirësim”, ka deklaruar Nimani për Telegrafin.

Ndërsa, sa i përket gjithsej numrit të personave të prekur nga gripi sezonal, Nimani bëri të ditur se në Klinikën Infektive janë konfirmuar deri tani 13 raste.

Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës para disa ditësh ka dhënë disa këshilla për qytetarët në rast se janë me grip.  

Në mesin e këshillave thuhet se personat e sëmurë nga gripi duhet të qëndrojnë në shtëpi dhe larg të tjerëve.

“Pushoni dhe përdorni lëngje me shumicë, mbuloni gojën dhe hundën me faculetë kur kolliteni apo teshtini, lani duart mirë me ujë e sapun mbas çdo kollitje apo teshtime, informoni familjarët dhe miqtë për sëmundjen tuaj”, thuhej në këshillat e dhëna nga Instituti.

Po ashtu, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka kërkuar që të evitohen kontaktet me njerëz.