13 Marsi dita më e keqe në historinë e Facebook

E publikuar: 14/03/2019 16:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Facebook ka filluar të rikuperohet pas mese 14 orësh ndërprerje shërbimi në mbarë produktet duke lënë miliona njerëz pa komunikim në mbarë botën.

Rrjeti social kryesor i kompanisë, dy aplikacionet e komunikimit dhe rrjeti social i fotografive Instagram u prekën të gjithë.

Facebook ende nuk ka dhënë një shpjegim për këtë ndërprerje. Hera e fundit që Facebook pësoi një blackout masiv të kësaj magnitude ishte viti 2008 por sajti kishte vetëm 150 milionë përdorues.

Ndërsa sot ka 2.3 miliard përdorues aktivë në muaj. Problemet filluan pasditen e së Mërkurës dhe shenjat e para të rikuperimit u shfaqen mëngjesin e së Enjtes.

Platformat kryesore tek të cilat njerëzit mbështeten për të komunikuar çdo ditë ishin të papërdorshme.

Në përgjigje të spekulimeve, kompania tha se ndërprerja nuk ishte si rezultat i një sulmi DDoS, një sulm kibernetik që rrëzon serverët e internetit duke i mbytur me trafik.

Sa i përhapur ishte problemi?

Sipas përllogaritjeve problemet filluan të Mërkurën në 16:00 me orën tonë lokale. Ndërsa shërbimi kryesor i Facebook hapej, përdoruesit nuk postonin dot.

Në Instagram nuk rifreskonin dot kohështrirjen për të parë materiale të reja. Versioni desktop i Facebook Messenger nuk hapej por ai mobil në disa raste lejonte dërgimin e mesazheve.

WhatsApp shumë shpejt u pushtua gjithashtu nga problemet. DownDetector i cili monitoron aktivitetin e faqeve tha se humbja e shërbimit ishte prezent në mbarë botën ku Evropa dhe Azia ishin më të goditurat.

Këto probleme me shumë gjasa do ta godasin rëndë xhepin e Facebook. Kompania financon biznesin e saj përmes reklamave dhe sipas raportimeve thuhet se rrjeti social ka planifikuar të rimbursojë humbjet e reklamuesve gjatë ditës së djeshme.

Problemi preku edhe Facebook Workplace, versionin e rrjetit social për kompanitë dhe bizneset që komunikojnë së brendshmi. Ndërprerja vjen në një kohë kur Facebook po vihet në presion politik në SHBA ku disa ligjvënës kanë filluar të artikulojnë edhe shpërbërjen e gjigandëve të teknologjisë. /PCWorld Albanian