E publikuar: 04/10/2015 23:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Paris Saint Germain fiton klasiken e futbollit francez. Në Parc Des Princes, skuadra e Luarent Blanc mposhti 2-1 Olympique Marseille duke u shkëputur akoma edhe më shumë në krye të klasfikimit. Dy gola të Zllatan Ibrahimovic nga pika e bardhë e penalltisë bënë të pavlefshëm edhe finalizimin e Batshuayi-t, me formacionin e drejtuar nga trajneri spanjoll Michel që pas kësaj disfate hyn në një krizë të thellë. 23 pikë në 9 javë për Parisin që nëse vazhdon me këto ritme fitimin e titullit të 4-t kampion radhazi pritet ta ketë thjeshtë një formalitet. Në Parc Des Princes ishin miqtë ata që kaluan të parët në avantazh. Në minutën e 30-të sulmuesi i Marseille, Batshuayi përfitoi nga një krosim i Barradës duke i shpëtuar mbulimit të David Luiz për ti dhënë avantazhin skuadrës së Michel. Vetëm 11 minuta zgjati avantazhi i Marseille sepse Ibrahimovic në të 41-tën kthehu në gol një 11-metërsh duke barazuar shifrat. Vetëm 3 minuta më pas bomberi suedez realizoi sërish nga pika e bardhë e penalltisë duke i cuar parizienët në pushim në avantazh 2-1. Ky ishte goli i 110-të i Ibrës me fanellën e Psg, me suedezin që u bë golashënuesi më i mirë i të gjithë historisë së klubit duke lënë pas portugezin Pauleta me 109 finalizime. Në minutën e 54-të kryesori Bastien akordoi 11-metërshin e tretë në këtë ndeshje pasi Aurier pengoi brenda zone Barradën, por marokeni i Marseille nuk u tregua i saktë duke ndalur nga portieri i vendasve Kevin Trapp. Në minutën 78 Parisi pati mundësinë ideale për të vendosur në kasafortë fitoren por Javier Pastore bëri të pabesueshmen përballë Mandandas pas asistit të Cavanit. Në Parc Des Princes gjithcka u mbyll me suksesin 2-1 të skuadrës së Laurent Blanc që regjistroi fitoren e 7-t në 9 takime të ligës së parë franceze./ss/