Hyseni: Statuti i Asociacionit miratohet në Kuvendin e Kosovës

E publikuar: 02/09/2015 00:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni bëhet zyrtari i parë qeveritar që deklaron se Kuvendi do të thotë fjalën e tij për marrëveshjet e reja me Serbinë.

Teksa kryeministri Mustafa e ministrja për Dialog, Edita Tahiri kanë thënë se Kuvendi e ka kryer punën në vitin 2013, Hyseni beson se ka ende punë për të.

“Nuk do të lejojmë asgjë që është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, prandaj po e dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese për interpretim. Gjithashtu, kur të shkruhet statuti i Asociacionit, atë do ta dërgojmë në Kuvendin e Kosovës për ta miratuar”, ka thënë Hyseni në emisionin Interaktiv në KTV.

Ai tha se Asociacioni është rrjedhojë e Pakos së Ahtisaarit, me të cilën u shpall pavarësia e Kosovës.

Ministri i Brendshëm ka hedhur poshtë zërat për destabilitet apo gjakderdhje për shkak të krijimit të Asociacionit.