90 mijë refugjatëve nga Ballkani mund t`u ndalohet hyrja e sërishme në Gjermani

E publikuar: 08/08/2015 13:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Janë me dhjetëra mijë refugjatë nga Ballkani ose saktësisht: 94.000 sish që pas dëbimit nga Gjermania duhet të llogarisin edhe ndalesën e hyrjes së sërishme në këtë vend. Kjo shifër ka të bëjë me lëndët në përpunim të azilkërkuesve nga të gjitha vendet e Ballkanit dhe del nga statistikat që ka publikuar Zyra Federale e Gjermanisë për Migracion dhe Refugjatë (BAMF).

Siç njofton gazeta “Die Welt”, botimi i sotëm, pothuaj të gjithë këtyre, së bashku me vendimin për dëbim, do t`u vijë edhe ai për ndalim të hyrjes së sërishme dhe të qëndrimit në Gjermani, transmeton albinfo.ch.

Ndalesa vlen për maksimalisht pesë vitet e ardhshme.

Me një ndalesë të tillë duhet të llogarisin edhe refugjatët nga Tunizia dhe Gjorgjia.

Drejtori i BAMF Manfred Schmidt, transmeton albinfo, thotë se ajo që bie në sy te refugjatët nga Ballkani në gjithë Evropën, është fakti se 85 për qind e tyre kanë zgjedhur Gjermaninë. Kjo ka dy shkaqe: të ardhurat për azilkërkuesit këtu janë më të larta se në shtetet tjera evropiane dhe procedurat zgjasin më shumë, gjë që u mundëson qëndrim më të gjatë. Për këtë arsye Schmidt angazhohet për shkurtim të procedurës dhe për atë që azilkërkuesve t`u jepen më pak para.