11 vite pas fuqizimit, ekspertët shohin defekte në Kushtetutën e Kosovës

E publikuar: 15/06/2019 17:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vetëm katër muaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 15 qershor të vitit 2008, ka hyrë në fuqi kushtetuta e saj e cila e përcakton Kosovën si shtet të pavarur, sovran, demokratik, unik dhe të pandashëm.

Republika e Kosovës deklarohet shtet laik, shoqëri shumë-etnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera thuhet në tekstin e Kushtetutës me hyrjen në fuqi të së cilës fillon zbatimi i planit të ish-kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisari.

Hyrja në fuqi e Kushtetutës së Kosovës shënoi fillimin e një periudhe të re të zhvillimeve politike, që u kundërshtua nga përfaqësuesit e serbëve të cilët nuk u pajtuan me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Sot, saktësisht 11 vite pas hyrjes në fuqi të kësaj Kushtetute, ekspertët njohës të Kushtetutës dhe kushtetutshmërisë po thonë se kjo kushtetutë ka defekte.

Njohësi i Kushtetutës, Riza Smaka në një prononcim për lajmi.net është shprehur se defekti i kësaj Kushtetute qëndron në aplikimin selektiv të saj.

Sipas tij, shpesh kanë ndodhur shkelje të Kushtetutës, duke shtuar se kjo mund të bëhet nga institucionet dhe jo nga qytetarët e vendit.

“Kur është miratuar Kushtetuta, kemi pasur shpresa të mëdha se e miratuam ligjin suprem të vendit dhe në bazë të atij ligji do të miratojmë një varg aktesh ligjore dhe nënligjore që do ta legalizojnë jetën shoqërore, ekonomike, politike, kulturore në Kosovë dhe do ta bëjmë Kosovën shtet të së drejtës demokratike për qytetarin e Kosovës,
ekonomia e tregut, pluralizmi ekonomik e politik e të tjera. Ndërkohë kanë qenë miratuar akte ligjore e më shumë akte nënligjore, por defekti tani është në aplikimin selektiv të dispozitave të caktuarave të akteve ligjore dhe nënligjore, sepse aktet nënligjore, këto që quhen legjislacioni sekondar, bëhen të paqarta, jo të plota e të tjera. Problemi manifestohet në aplikimin selektiv, të dobët të shumë dispozitave ligjore aplikative. Shkeljen e Kushtetutës e kanë bërë institucionet sepse qytetarët nuk mund ta shkelin Kushtetutën”, tha Smaka.

Smaka për lajmi.net gjithashtu është shprehur se ka identifikuar 25 dispozita në Kushtetutën e Kosovës që sipas tij kanë nevojë të ndryshohen, modifikohen ose plotësohen.

“Unë i kam identifikuar 25 dispozita që do të duheshin të plotësoheshin, modifikoheshin ose ndryshoheshin dhe kjo jo sipas një konstatimi ad-hoc, por saktësisht që e ka treguar edhe para-praktika. Nëse nisemi nga zgjidhja e kryetarit të Kuvendit, zgjedhja e Qeverisë, Presidentit, politikat e jashtme të cilat janë konfuzive. Sepse aty përgjigjen, presidenti, qeveria, ministri i jashtëm, ministri i përgjigjet qeverisë, qeveria do të duhej t’i përgjigjej presidentit

Ai në fund ka përmendur edhe formimin e Grupit Negociator i cili sipas tij nuk ka bazë kushtetutare, sepse askush nuk mund t’ia marrë kompetencat presidentit për politikën e jashtme të vendit.

“Duke mos e njohur Kushtetutën u formua edhe grupi negociator sepse nuk ka bazë kushtetutare sepse me kushtetutë, presidenti i udhëheq politikat e jashtme, prandaj grupi negociator nuk mund t’ia merr kompetencat presidentit. Gjykata Kushtetuese tani veç ka hasur defekte në rezolutën për formimin e Grupit Negociator”, tha Smaka në fund.Ndërsa, eksperti tjetër, Muhamet Kelmendi shprehet se Kushtetuta e Kosovës është e mbushur me elemente të cilat nuk i takojnë Kushtetutës.

Ai është shprehur se ligjet mbi ekonominë, pronën private, marrëdhëniet pronësore dhe të ngjashme janë futur në Kushtetutë dhe e kanë ngarkuar së tepërmi, duke ia humbur edhe karakterin.

“Së pari mendoj që duhet të përshëndesim shtetin e Kosovës që ka një kushtetutë ku thuhet se shteti i Kosovës sovran, unik, i pavarur dhe natyrisht i patjetërsueshëm dhe i pandarë. Mirëpo, kemi edhe çështje të cilat kanë dështuar në këto 11 vite jetë të kësaj kushtetute. Së pari duhet të them se kjo Kushtetutë anë negative e ka se është e mbushur me elemente që nuk i takojnë kushtetutës. Elemente nga ana juridike, ndalesa apo lejesa që nuk i takojnë Kushtetutës, por ligjeve. Shembull, ligjeve mbi ekonominë, pronën private, marrëdhënieve pronësore, të gjitha këto norma që janë të futura në të, e kanë ngarkuar së tepërmi dhe e kanë humbur karakterin e Kushtetutës që duhet ta ketë në vend”, tha Kelmendi për lajmi.net.

Kelmendi gjithashtu ka shtuar se Kushtetuta duhet të jetë më e shkurtë dhe më precize, më e qartë dhe të ketë organ që e mbron kushtetutshmërinë.

“Çdo kushtetutë e vendit të botës nuk i ka të gjitha këto norma. Kushtetutat zakonisht janë më të shkurta, janë më precize, më të qarta dhe natyrisht ka organ që e mbron kushtetutshmërinë. Unë e kam këtu kritikën më të madhe sepse Gjykata Kushtetuese nuk është në nivelin që duhet të jetë, në mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë sepse nuk duhet të presë Gjykata Kushtetuese vetëm krimet e të tjerëve që të hidhet në veprim. Kemi vendime që nuk janë në përputhje me normat juridike”, tha Kelmendi ka përmendur rastin e tokës rreth Manastirit të Deçanit që sipas tij në asnjë formë nuk i takon manastirit, sepse me ligjet në fuqi, e drejta e pronësisë së një pasurie të patundshme që i ka mbi 25 vite, atëherë pronësia i takon atij që e ka tokën.

“Shembull një seancë para disa ditësh që është mbajtur para ditësh rreth tokës së Manastirit të Deçanit, ku ajo në asnjë formë nuk i takon Manastirit të Deçanit sepse ajo për një kohë të gjatë ka qenë pronë publike dhe shtetërore dhe një kohë pronë e qytetarëve të Kosovës dhe sipas ligjit në fuqi e drejta e pronësisë së një pasurie të patundshme që i ka mbi 25 vite, atëherë pronësia i takon atij që e ka shfrytëzuar atë tokë”, tha Kelmendi.

Vlen gjithashtu të theksohet fakti se 70 për qind e normave duhet të hiqen nga Kushtetuta, sepse është akt normativ i një niveli më të lartë.

“Nuk shoh nevojë për modifikim ose ndryshim, por duhet ndërhyrje. Së paku 70 për qind të normave duhet të hiqen nga kjo kushtetutë, thjesht kemi të bëjmë me një akt normativ të një niveli më të lartë”, tha Kelmendi në fund.

Gjithashtu, shumë shpesh konteste të ndryshme të cilat nuk mund të zgjidhen në Gjykata të shkallëve më të ulta, i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

Kushtetuta e Kosovës shumë shpesh është vlerësuar si një ndër Kushtetutat më të mira në Evropë, që siguron demokraci dhe pluralitet.