100 seanca dështojnë të mbahen si pasojë e grevës së punëtorëve në Gjykatën Themelore në Prishtinë

E publikuar: 04/07/2018 17:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të mërkurën, ishin paraparë 100 seanca në të gjitha departamentet, por të cilat për shkak të grevës së punëtorëve të gjykatave dhe prokurorive, kanë dështuar të mbahen.
Në mesin e seancave që kanë dështuar të mbahen në Departamentin e Krimeve të Rënda, kanë qenë edhe dy raste që janë të shënejstruar për liberalizimin e vizave.

Njëri rast ishte ai ndaj ish-kryetarit të Lipjanit, Shukri Buja dhe rasti i të akuzuarve për krim të organizuar më armë në SHBA, të caktuara te gjykatësit Beqir Kalludra dhe Suzana Qerkini.

Ashtu siç ishte paralajmëruar greva e punëtorëve të gjykatave dhe prokurorëve në gjithë vendin ka filluar këtë të mërkurë, e sipas kryetarit të këshillit grevist Naim Shala, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, nuk është mbajtur asnjë seancë e caktuar, përveç rasteve të paraburgimit.

Pakënaqësia e punëtorëve lidhur me vendimin e Qeverisë për rritje të pagave për kabinetin qeveritar, nga i cili kanë përfituar edhe gjykatësit dhe prokurorët, por jo edhe punëtorët e administratës së këtyre institucioneve si duket po manifestohet edhe te palët.

Si pasojë e grevës së përgjithshme, rastet e caktuar për këtë ditë janë shtyrë të gjitha, ndërsa qytetarët që janë thirr për gjykatë është dashur të kthehen pa kryer punë.

Sipas të dhënave të siguruara nga ana e kryesuesit të këshillit grevist të Gjykatës Themelore në Prishtinë, 100 seanca nga të gjitha departamentet janë shtyrë, ku më së shumti deri më tani janë shtyrë në divizionin për kundërvajtje, gjithsej 68 seanca, shkruan betimiperdrejtesi.com.

Sipas këtyre të dhënave, në Departamentin e Krimeve të Rënda, janë shtyrë shtatë seanca, në atë të përgjithshëm shtatë seanca, në Divizionin Civil 14 seanca, dhe në Departamentin për të Mitur, katër seanca.

Kërkesat e grevisteve janë rritja e pagave për 100 %, për rreth dy mijë punëtorët e administratës dhe rregullimi i statusit të tyre.

Kryesuesi i këshillit grevist, Naim Shala, ka thënë se në nivel sindikatash janë shtjerr të gjitha mundësitë e dialogut, prandaj sipas tij, ky është hapi i fundit që kanë marrë.

“Ne jemi komplet edhe me administratën e prokurorisë në grevë. Ne kemi qenë në takim edhe me dy këshilltarët e kryeministrit kanë biseduar me neve, por rezultate pozitive nuk ka. Greva do të zgjas derisa të plotësohet kërkesa jonë. Punëtorët janë të mllefosur me lëvizjet e fundit dhe janë të gatshëm të rrinë në grevë, derisa të bëhet një zgjidhje. Ne e respektojmë orarin e punës, por që jemi në grevë prapë do të qëndrojmë deri në ora 16:00. Urdhëresat për paraburgim normalisht se ende funksionojnë paraburgimet do të trajtohen njëherë për njëherë, mirëpo kjo nuk do të thotë që pas disa ditësh nuk do ta ndërpresim edhe punën me paraburgime”, tha kryesuesi i këshillit grevist Naim Shala.

Sipas tij, për këtë normalisht se është njoftuar edhe kryetarja e Gjykatës dhe udhëheqësit e tjerë, duke shtuar se ka mbështetjen e tyre.