100 euro gjobë për ata që ndezin goma

E publikuar: 30/04/2016 10:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, paralajmëron ndëshkime për të gjithë ata që ndezin goma, një dukuri kjo mjaft e shprehur në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve – 1 Maj.

Ligji për mbrojtjen e ajrit ndalon rreptësisht djegien e gomave – me ligj dënohet çdo person që kryen një veprim të tillë, njofton Klan Kosova.

“Dënimi për të gjithë personat që djegin goma në hapësira publike, private dhe në natyrë është i përcaktuar edhe me anë të Udhëzimit Administrativ të për Gjoba Mandatore, konkretisht përmes nenit 16, në të cilin thuhet:

“Me 100 euro gjobë dënohet personi që djegë goma të automjeteve, ose mbeturina tjera prej gome, në hapësirat private, publike, në rrugë, ose natyrë. Djegë mbeturina të ndryshme prej letre në hapësirat publike, në rrugë, ose natyrë”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Mjedisit.

Kjo pasi që, siç vlerësohet, ndezja e gomave në mjedis të hapur, liron dyoksinën dhe materie tjera të rrezikshme.

MMPH tërheq vërejtjen se dyoksina dhe oksidet e tjera që lirohen nga djegia e gomave dhe materieve tjera shkaktojnë probleme serioze shëndetësore, si dëmtimin e organeve të frymëmarrjes, kancerin e mushkërive, dëmton lëkurën duke shkaktuar edhe shumë probleme të tjera shëndetësore.

“Ndezja e zjarreve pa kontroll ka vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e njeriut, pasurinë private dhe shoqërore, si dhe ka degraduar mjedisin tonë edhe ashtu në gjendje jo të mirë”.

Ministria njofton se për këtë çështje kanë angazhuar inspektorët, si dhe Policinë e Kosovës.