10 vjet “Allianz Arena”, Rummenigge: Fituam lotarinë!

E publikuar: 31/05/2015 17:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sot ajo është një markë, është vendtakimi i mijëra tifozëve, është një vepër gjeniale e arkitekturës, por mbi të gjitha është shtëpia e Bayernit të Mynihut. Allianz Arena feston 10-vjetorin e krijimit, përmes kujtimeve që përcjell shefi ekzekutiv i bavarezëve, Karl-Heinz Rummenigge.

“Ky stadium është çelësi i shumë sukseseve që kemi arritur gjatë viteve të fundit. Kemi marrë një vendim mjaft të rëndësishëm kur ramë dakord për ndërtimin e tij. Ishte si një lotari dhe ne kemi dalë të fituar”.

Në një referendum lokal gati 14 vjet më parë, rreth 66% e qytetarëve të Mynihut votuan pro ndërtimit të një Arene të re në Fröttmaning. Puna nisi në vitin 2003 dhe vepra gjigante u përurua zyrtarisht më 30 dhe 31 Maj 2005, ndërsa takimi i parë i kampionatit u luajt më 5 Gusht, kur 66 mijë tifozë panë Bayernin të fitonte bindshëm 3-0 kundër Gladbach. Pikërisht këtu ishte fillimi i një historie suksesi që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Në këto 10 vjet, Bayerni ka fituar 14 trofe, nga të cilët 6 në kampionat, 5 Kupa Gjermanie, Champions League, Superkupën e Europës dhe Botërorin e Klubeve.