1.8 milionë euro tender për borxhliun e zëvendësministrit, Rexhep Kadriu

E publikuar: 20/06/2019 15:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvendësministri i ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, Rexhep Kadriu ka krijuar një pasuri shumë të madhe.

Në vitin 2018, zëvendësministri Rexhep Kadriu, i mori borxh 97 mijë e 753 euro nga kompania ferizajas “Papengurgi&Ardiani”, me pronarë Muhamet Dervishi e Mevlud Dervishi. Këtë borxh, ai e ka deklaruar edhe në formularin e pasurisë 2019 në Agjencinë Kundër Korrupsion.

Lajmi.net ka mësuar se ministria e Infrastrukturës ku punon Kadriu e ka shpërblyer me tender para pak ditësh kompaninë “Papengurgi&Ardiani” për projektin “Asfaltimi i rrugës Babush-Tërn-Luboc-Koshare-Slivovë”. Vlera e përgjithshme e kontratës është 1.821.792,19 euro.

Zëvendësministri Kadriu dhe kompania që i dha borxh nuk kanë dashur të zbulojnë për lajmi.net se cilat kanë qenë kushtet e kompanisë që t’i jepet ky borxh zv. ministrit. Ata kanë refuzuar të përgjigjen në të gjitha pyetjet e lajmi.net rreth kësaj çështje.

Tenderi në vlerë prej 1.8 milionë euro që i është dhënë kësaj kompanie para dy muajve është shoqëruar me shumë parregullsi.

Zyra e prokurimit e MIT që udhëhiqej nga Nexhat Krasniqi më datë 4 qershor 2018, kishte bërë njoftim për kontratë për tenderin “Asfaltimi i rrugës Babush-Tërn-Luboc-Koshare-Slivovë”.

Më 30. 07 2018, fitues i këtij tenderi ishte shpallur kompania N.p.sh Bageri me vlerë prej 1.483.271,55, ose afër 400 mijë euro më lirë se oferta aktuale. Pasi ishte shpallur ‘Bageri’ si kompania më e lirë, ka pasur ankesa nga kompanitë për shkelje të ligjit nga ana e ministrisë dhe më 24.12.2018, ministria e ka anuluar ‘njoftimin për dhënie të kontratës’.

Shef i zyrës se prokurimit atë kohë ka qenë, Nexhat Krasniqi.

Në njoftimin për anulim të kontratës gjendet emri i ushtrueses së detyrës së shefit të prokurimit të MIT, Valmira Bllaca, pasi Nexhat Krasniqi ishte suspenduar nga puna gjatë asaj kohe. Më pas, ministria e ka mbajtur në rivlerësim për mbi 4 muaj tenderin dhe më datë 8 maj 2019, e ka shpallur fitues kompaninë “Papengurgi&Ardiani”, ndërsa më datë 11 maj është nënshkruar kontrata.

Për këtë tender në garë kanë qenë 17 kompani.

Menjëherë pas nënshkrimit të kontratës, kompania punë kryese ka dalë në terren për të nisur punët. Për koincidencë ‘barra’ e hapjes së përurimit të projektit kishte rënë mbi zv. ministrin. Rexhep Kadriu, pasi ministri Lekaj nuk ishte shfaqur në përurim.

Dosjen e tenderit për këtë projekt e patën tërhequr 102 kompani, ndërsa kanë marr pjesë në ofertë vetëm 17.