​VV: S’kemi obligim të shkojmë te Thaçi

E publikuar: 21/07/2017 17:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lëvizja Vetëvendosje ka vlerësuar se presidenti i Kosovës Hasjim Thaçi nuk ka asnjë kompetencë ligjore që t’i ftojë subjektet politike për t’u konsultuar lidhur me ditën dhe datën e mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit dhe as subjektet politike nuk kanë asnjë obligim ligjor që të shkojmë në këtë takim.

Sipas VV-së, afati ligjor për thirrjen e seancës konstituive është i përcaktuar ligjërisht dhe Thaçi thjesht e ka obligim kushtetues ta kumtojë ditën dhe orën e mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit.

“Nëse Thaçi nuk e bën këtë, atëherë ne, si deputetë të Kuvendit të zgjedhur me votën e popullit, do ta bëjmë ashtu siç është e përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ftesa e Thaçit për takim konsultativ, është përpjekje që përmes takimeve joformale të tipit parapolitik ta bëjë të paqartë thirrjen e seancës konstituive.

Kjo është tendencë e qartë për të krijuar përshtypjen e krizës ku të gjithë duhet të ulen në një tryezë dhe ka thjeshtë për qëllim shpërlarjen e takimeve të kafeneve me koalicionin e PAN-it, të cilit duke qenë se më shpejtë po i ikën koha se sa që po i bëjnë numrat për formimin e qeverisë, po mendojnë se tek Thaçi kanë gjetur mundësinë për blerjen e kohës.

Thaçi e ka shfrytëzuar këtë ftesë, për t’ia mbuluar PAN-it humbjen e të gjitha afateve të cilat ata vetë i kanë caktuar. Kësisoj, Thaçi vetë i skaduar, ka pranuar këtë rol prej shpëtimtarit fallso për t’u rikthyer sërish në skenë, ku deri më tani qëndronte vetëm nëpërmjet thirrjeve telefonike me Vuçiqin”, thuhet në një postim të VV-së në facebook.