​Vendimet e Qeverisë gjatë kohës së pandemisë s’kanë bazë ligjore, u shkelen rënd të drejtat e njeriut

E publikuar: 18/07/2020 18:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” ka publikuar raportin “Monitoruesit Social e Demokratik”, me ç‘rast u tha se vendimet e Qeverisë të cila u vendosën për shkak të pandemisë, e që kufizuan lëvizjen e lirë të qytetarëve, nuk kanë bazë ligjore e kushtetuese.

Hulumtuesi i këtij raporti, Naim Jakaj, ka thënë se vendimet e Qeverisë kanë qenë pa bazë ligjore, derisa ka theksuar se kërkojnë nga deputetët e Kuvendit që të propozojnë të ndryshojnë dhe të miratojnë çdo legjislacion në mënyrë që ky kufizim për shkak të fatkeqësive siç është rasti i Covid-19, të bëhet me vendim të Kuvendit përmes ligjit kur kufizimet janë të nevojshme për t’i mbrojtur qytetarët.

“Siç e dini muaj më parë Qeveria ka marrë vendim në lidhje me masat për parandalimin e covid-19. Pa kaluar shumë ditë Qeveria shkoj më tej duke marrë edhe masa të tjera të cilat janë drastike e që përbëjnë ndalimin e lëvizjes së qarkullimit për qytetarë dhe automjete. Ky vendim i atëhershëm u bë duke mos i analizuar mirë bazën kushtetuese dhe ligjore që aplikohet në Kosovë, por ai vendim u shpall pastaj i pa vlefshëm dhe në kundërshtim kushtetutën. U evidentua përmes këtij aktgjykimi cenimi i të drejtave të njeriut lidhur me mungesën e bazës ligjore në raport me masat që janë ndërmarr prej Qeverisë. U rritën deviacionet dhe fenomenet siç janë dhuna në familje si pasoj e drejtpërdrejte e zbatimit të masave, ndërsa mos shpjegimi i duhur i këtyre masave rezultojë me arrestime të shumta…Instituti për politika sociale kërkon nga deputetët e kuvendit që të propozojnë të ndryshojnë dhe të miratojnë çdo legjislacion në mënyrë që ky kufizim për shkak të fatkeqësive siç është rasti i covid-19 të bëhet me vendim të kuvendit përmes ligjit kur kufizimet janë të nevojshme për t’i mbrojtur qytetarët”, ka thënë ai

Ndërsa, drejtor Ekzekutiv i Institutit, Visar Ymeri, ka thënë se ky monitorues është një përmbledhje statistikore të efekteve të pandemisë, në raport me të drejtat e njeriut e demokracinë, si dhe të efekteve sociale të vendimeve dhe të masave institucionale, të ndërmarra për t’u ballafaquar me krizën shëndetësore e ekonomike.

“Ky monitorues është një përmbledhje statistikore e disa prej fushave të cilat kanë ndodhur në kohën e karantinimit dhe që kanë qenë të ndikuara drejtpërdrejtë nga pandemia covid-19…Në numrin e parë të monitoruesit të cilin po e publikojmë sot i kemi vënë në pah disa aspekte të të drejtave të njeriut dhe mënyrën se si janë afektuar të drejtat e njeriut nga vendimet Qeveritare si rrjedhojë e pandemisë si dhe ndikimin social që e ka pasur pakoja emergjente e miratuar nga Qeveria në mars e cila për qëllim ka pasur të përballët me problemet ekonomike dhe sociale që kanë lindur si rezultat i pandemisë”, ka thënë ai.

Ky projekt është financuar nga European Endowment for Democracy./kp/