​Trusti publikon të dhënat mbi kursimet e kontribut-dhënësve

E publikuar: 12/10/2020 19:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas kalimit në parim të Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike, ku përfshihet edhe tërheqja e mjeteve 10 për qind, Trusti Pensional i Kosovës ka dalë me të dhënat e kontributeve në këtë institucion.

Në një postim në Facebook është bërë e ditur se numri i përgjithshëm i kontribut-dhënësve në Trustin Pensional është 639.264.

“Kemi pasur shumë kërkesa, nga shoqëria civile dhe mediat, për numrin e kontribuuesve sipas bilancit që kanë në Trust. Për informim të gjerë, më poshtë janë të dhënat e datës 30 shtator 2020.

Deri në 100 euro kursime i kanë mbi 100 mijë kontribut-dhënës. Mbi 100 deri në 1 mijë euro kursime i kanë mbi 212 mijë kontribut-dhënës, mbi 1 mijë euro kursime deri në 5 mijë i kanë rreth 195 mijë, mbi 5 mijë deri në 10 mijë euro kanë kursimeve mbi 74 mijë, mbi 10 mijë-20 mijë euro kanë 40 mijë kontribut-dhënës dhe mbi 20 mijë euro të kursyera kanë mbi 12.944 kontribut-dhënës”, njofton Trusti.

Ndryshe, për tërheqjen e dhjetë përqindëshit nga Trusti, nevojitet që Projektligji për rimëkëmbje ekonomike të kalojë në lexim të dytë.

Projektligji për rimëkëmbje ekonomike ka kaluar sot në parim në tentimin e shtatë të tij, pasi në gjashtë herët e kaluara nuk kishte vota të mjaftueshme.