​Supremja miraton udhëzim kundër dhunës në familje

E publikuar: 11/06/2020 16:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në seancën e përgjithshme të Gjykatës Supreme, të enjten, është miratuar udhëzimi lidhur me cilësimin juridik dhe trajtimin e rasteve të dhunës në familje, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, ka elaboruar para gjyqtarëve qëllimin e këtij udhëzimi dhe sqarimet që janë listuar në të.

Sipas komunikatës së gjykatës, udhëzimi do të jetë një mjet lehtësues për gjyqtarë e prokurorë dhe profesionistë tjerë të fushës, në mënyrë që për rastet e dhunës në familje, jo vetëm të vendoset me drejtësi, por t’ju krijohet qartësi për dispozitat e caktuara ligjore.

Kreu i Supremes vuri në pah edhe nevojën për plotësimin e standardeve lidhur me ofrimin e mbrojtjes së duhur të viktimave të dhunës në familje, në pajtim me Konventën e Stambollit, për çka, ligjvënësi me dispozitën e nenit 248 të Kodit penal e ka paraparë dhunën në familje, me të katër format si ajo mund të shfaqet, si vepër të veçantë penale.

Megjithatë, sipas tij, po i njëjti nen, ka krijuar edhe paqartësi rreth asaj se si duhen interpretuar dispozitat e këtij neni veç e veç dhe cila është mënyra më efikase për trajtimin e lëndëve të kësaj natyre.

“Ne jemi përpjekur të qartësojmë se në cilat raste cilësimi bëhet sipas veprës bazë e në cilat raste, sipas nenit 248, si dhe të qartësojmë si të veprohet në rast të shkeljes së Urdhrit mbrojtës, të lëshuar sipas Ligjit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje”, tha ai.

Në këtë drejtim, kryetari Peci, bëri me dije se ka pranuar kërkesa të shumta nga gjyqtarë dhe profesionistë tjerë, lidhur me kualifikimin adekuat në rast të veprave penale, të kryera ndaj anëtarëve të familjes apo në kuadër të marrëdhënies familjare.

“Gjykata Supreme ka analizuar kuadrin ligjor relevant me qëllim të harmonizimit të qëndrimeve dhe praktikave, në tërë Republikën e Kosovës dhe ka nxjerr këtë udhëzim”, sqaroi kryetari, duke hapur diskutimin me gjyqtarë.

Këta të fundit, shprehen pikëpamjet e tyre rreth çështjeve të ngritura, dhe me shumicë votash Udhëzimi u miratua.

Për hartimin e udhëzimit, Gjykata Supreme është mbështetur nga Ambasada Amerikane në Prishtinë.