​Serwer kërkon rinovimin e boshtit Britani-Gjermani-SHBA për Ballkanin

E publikuar: 08/12/2020 19:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Administrata e ardhshme e Uashingtonit duhet të neutralizojë ndikimin e Kinës dhe Rusisë në Ballkanin Perëndimor, tha Daniel Serwer, drejtori i Institutit për Politikën e Jashtme dhe Zgjidhjen e Konflikteve në Universitetin Johns Hopkins, duke theksuar, në veçanti Serbinë.

Në Komitetin për Politikën e Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, ai vlerësoi se ndikimi rus nuk do të ishte gati aq i dukshëm në Serbi nëse autoritetet serbe nuk do ta lejonin atë.

“Presidenti Vuçiq hapi mediat e tij në Rusi dhe i shkaktoi dëme Zërit të Amerikës, e cila është zvogëluar në minimum pas dekadave të pranisë në Serbi. Kjo duhet të jetë një nga përparësitë për administratën e re të SHBA,” tha Serwer.

Kur u pyet nga moderatori se si SHBA duhet të kthehen si një faktor politik aktiv dhe i rëndësishëm për arritjen e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në marrëdhëniet Serbi-Kosovë, Serwer vlerësoi së pari se në këtë moment ndikimi i Rusisë dhe Kinës është shumë më i madh, por se Rusia, për shkak të problemeve të brendshme politike, do të jetë dukshëm më e përqendruar në vetvete në katër vjetët e ardhshëm, transmeton Tanjug.

Ai tha se agjencitë amerikane të inteligjencës duhet t’i kushtojnë vëmendje të veçantë marrëdhënieve midis Rusisë dhe Kinës dhe veprimtarive të tyre të përbashkëta, të cilat mund të rrezikojnë ndikimin e Shteteve të Bashkuara.

“Korrupsioni po ha shoqëritë e Ballkanit Perëndimor. Unë besoj në rolin e sektorit privat, i cili mund të përmirësojë jetën e qytetarëve, por gjëja më e rëndësishme është që Shtetet e Bashkuara të përfshihen në mënyrë aktive në zgjidhjen e çështjes midis Serbisë dhe Kosovës,” tha Serwer.

Serwer kujtoi se Kosova nuk njihet nga pesë vende anëtare të BE-së dhe vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara duhet të bashkëpunojnë me BE-në si një e tërë, por që ajo duhet të ringjallë dhe forcojë bashkëpunimin në realitetin Britani e Madhe-Gjermani-SHBA, e cili është baza e një politike të ekuilibruar ndaj Ballkanit Perëndimor.

“Ky bosht duhet të rinovohet, dhe kjo do të ishte këshilla ime për administratën e re amerikane,” përfundoi Daniel Serwer.