​Serbia kërkon asociacionin në tavolinën e diskutimeve në Bruksel

E publikuar: 16/09/2020 19:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

I ashtuquajturi drejtor i Zyrës serbe për Kosovën Marko Gjuriq ka dalë me deklarate krejt ndryshe nga ato të emisarit special për dialogun Miroslav Lajçak rreth temave që do të diskutohen nesër në kryeqytetin evropian.

Diplomati sllovak gjatë ditës sot ka paralajmëruar se Kosova e Serbia në Bruksel do të diskutojnë për çështje financiare dhe komunitetin jo shumicë,transmeton KosovaPress.

Por, nga Beogradi zyrtar vijnë sinjale se për palën serbe temë e parë në takim do të jetë asociacioni.

“Çështja e parë në agjendë nesër do të jetë asociacioni i komunave me shumicë serbe. Të paktën për palën serbe. Ajo për të cilën jemi pajtuar me ndërmjetësim të BE-së, shtatë vjet e gjysmë më herët. Po ajo”, ka shkruar Gjuriq në Twitter.

Sipas tij, në agjendën e bisedimeve me palën kosovare mund të jenë edhe çështjet e pronave.

Ndryshe, Presidenca e Kosovës ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që të votojë një rezolutë që do t’ia ndalonte kryeministrit Avdullah Hoti negocimin e çështjeve të brendshme të Kosovës dhe temave që rrezikojnë rendin e brendshëm shtetëror.

Presidenca e ka cilësuar “gabim të madh dhe të rrezikshëm” hapjen e temave për të drejtat e komuniteteve dhe asociacionin serb.