​Selimi: Dhuna në familje duhet të trajtohet më seriozisht

E publikuar: 08/06/2020 14:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka takuar sot viktimat e strehuara në Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë. Atyre u ka premtuar mbështetje institucionale dhe bashkëpunim derisa ka theksuar se dhuna në familje duhet të trajtohet më seriozisht. Selimi ka pranuar se sfidë mbetet riintegrimi i viktimave por sipas tij së shpejti do t’i implementojnë planet që i kanë për bashkëpunim edhe me sektorin privat për të mundësuar riintegrimin e tyre.

Vizitën e parë në postin e ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi ka zgjedhur ta bëjë në një qendër ku strehohen viktimat e dhunës.

Pasi takoi drejtuesit e qendrës dhe viktimat që qëndrojnë aty, Selimi tha se dhuna në familje duhet të trajtohet më seriozisht.

“Jo rastësisht e kemi zgjedhur këtë strehimore për ta dërguar mesazhin se dhuna në familje duhet të trajtohet më seriozisht dhe dhuna në familje është një shqetësim shumë i gjatë i joni të cilit duhemi me ju qasë në mënyrë më serioze. Sot edhe me drejtoreshën, me përfaqësuesen e Un Women diskutuam për sfidat por edhe mundësitë si ta bëjmë këtë bashkëpunim, si ta përmirësojmë trajtimin për këtë çështje”, tha ai.

Selimi tha se do të shikojnë mundësinë e bashkëpunimit me sektorin privat në mënyrë që të riintegrohen viktimat pasi të përfundojnë strehimin.

“Sfida më e madhe është ri integrimi i tyre, tash i kemi disa ide të cilat i diskutuam dhe mendojmë që shumë shpejtë në bazë të rekomandime që i kemi bërë bashkë me agjencinë e Kombeve të Bashkuara të fillojmë menjëherë të shikojmë mundësinë e bashkëpunimit me sektorin privat, shumë korporata e kanë pjesë të tyre ‘corporate social responsibility’ dhe mendojmë që përmes lidhjes me strehimore të tilla mund të jetë më logjike dhe më e lehtë që të punohet më shumë në ri integrimin e tyre”, tha ai.

Zana Hamiti, drejtoreshë e Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve tha se shpreson që të ketë përparim sa i përket ofrimit të ndihmës për viktimat e dhunës në familje.

“Gjatë bisedës me zotin ministër morëm premtime që bashkëpunimi do të vazhdojë si e kemi pasur edhe me ministrat paraardhës dhe besoj që edhe do të ketë avancime shtesë në këtë drejtim për t’u ofruar ndihmë viktimave të dhunës në familje”, tha ajo.

Kujtojmë se rastet e dhunës në familje janë rritur edhe në Kosovë gjatë periudhës së pandemisë me Covid 19, kohë kjo kur qytetarët qëndruan të mbyllur në shtëpitë e tyre për shkak të përhapjes së koronavirusit.