​RRGK shpreh shqetësim për qasjen diskriminuese ndaj grave në vendimmarrje

E publikuar: 21/05/2020 15:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rrjeti i Grave të Kosovës (RRGK) po përcjell me shqetësim sulmet e bëra së fundi ndaj grave në vendimmarrje në vend, në cilat do pozita dhe kapacitete qofshin ato, duke dënuar kështu, siç thuhet, ‘portretizimin e grave në vendimmarrje si të paafta’.

Në një komunikatë për media thuhet se në vend se gratë në pozita vendimmarrëse të vlerësohen për punën dhe performancën e treguar, ne jemi dëshmitarë se vazhdimisht ndaj tyre po shpërfaqet mendësia patriarkale.

“Gratë vazhdojnë të jenë pjesë konstruktive e proceseve politike në Kosovë, andaj çdo tentativë për zhvleftësimin e rolit të tyre politik përmes akteve seksiste dhe mizogjeniste është krejtësisht e papranueshme. Gjithashtu, kjo praktikë e sfidon rrënjësisht arritjen e një shoqërie të barabartë, gjithëpërfshirëse, si dhe dëmton dhe aspiratat demokratike e progresive të Kosovës”, thekson RrGK.

RrGK përsërit thirrjen për ndërprerje të kësaj qasje, e cila, sipas saj, rrezikon prodhimin e raporteve të pabarabarta shoqërore, ekonomike dhe kulturore ndërmjet grave dhe burrave.

Ndryshe, në zgjedhjet e fundit në Kosovë, ka pasur rritje të numrit të grave që fituan ulëse në Kuvend, 26 prej 39 deputeteve janë zgjedhur pa kuotën gjinore.