​Osmani për dialogun: Është gabim serioz që me Serbinë po hapen çështje të mbyllura ndër vite

E publikuar: 15/09/2020 15:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi sot se nuk ka alternativë tjetër përpos dialogut, por e quajti një gabim serioz hapjen e çështjeve të mbyllura ndër vite me Serbinë për rregullimin e brendshëm, që tashmë janë shpallur jo kushtetuese nga Gjykata Kushtetuese.

Ajo këto komente i bëri gjatë një takimi me përfaqësuesin special të Norvegjisë, Arne Sannes Bjornstad, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, me theks të veçantë në bashkëpunimin ndërparlamentar dhe menaxhimin e situatës me COVID-19.

Kryetarja Osmani e falënderoi Bjornstad për ndihmën dhe përkrahjen e dhënë nga ana e shtetit të Norvegjisë në menaxhimin e pandemisë. Ata gjithashtu diskutuan për efektet e menjëhershme pozitive pas hyrjes ne fuqi të Ligjit për parandalimin luftimin e pandemisë COVID-19, duke ndikuar drejtpërdrejt në përmirësim të situatës dhe rrjedhimisht duke zvogëluar numrin e rasteve të infektuara.

Theks të veçantë në takim është vënë mbi zhvillimet aktuale politike në vend, veçanërisht në procesin e dialogut.

Kryetarja Osmani potencoi si të domosdoshme nevojën për transparence të plotë përgjatë tërë këtij procesi e sidomos respektimin e zotimeve të dhëna para Kuvendit dhe qytetarëve të Kosovës.

Sipas saj, nuk ka alternativë tjetër përpos dialogut, mirëpo, është gabim serioz që po hapen çështje tashmë të mbyllura ndër vite si dhe po diskutohen çështje të rregullimit të brendshëm që tashmë janë shpallur jo kushtetuese nga Gjykata Kushtetuese në vend.

“Legjitimiteti, përgatitja, përvoja dhe arritja e unitetit politik janë formula e vetme për sukses në dialog”, ka thënë Osmani.

Të dy palët u dakorduan që është tejet e rëndësishme që tërë ky proces të kalojë përmes Kuvendit dhe të sigurohet që Kuvendi të ketë rol aktiv.