​Osmani, Hotit: Në Kuvend nuk ka ardhur asnjë platformë për dialogun

E publikuar: 09/07/2020 13:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se në seancën e kaluar në fjalimin e tij ka prezantuar platformën e Qeverisë për procesin e dialogut dhe se kishte kërkuar që të formohet një Komision i veçantë parlamentar, por me këtë nuk është pajtuar kryeparlamentarja Vjosa Osmani.

Ajo në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, tha se seanca e kaluar parlamentare kur Hoti tha se ka prezantuar platformën e tij, ishte debat dhe jo prezantim i platformës, pasi që ajo vjen në formë të shkruar.

“Unë e kam prezantuar para juve platformën e qeverisë për proces të dialogut, duke përfshirë edhe parimet dhe vijat e kuqe, edhe gjitha çështjet e nevojshme. Unë kam prezantuar që të formohet një komision parlamentar për dialog, në përputhje me procedurat parlamentare për të mbikëqyrur nga afër procesi I dialogut. U pa që disponimi është që mos formohet komisioni i veçantë parlamentar. Por unë po raportoj rregullisht, para dhe pas çdo raundi të dialogut drejt në Kuvend”, ka deklaruar Hoti,transmeton Telegrafi.

Ndërkohë, Osmani tha se seanca e kaluar ishte thjesht debat, jo prezantim i platformës pasi që ajo vjen në formë të shkruar.

“Në Kuvend nuk ka ardhur asnjë platformë për dialogun. Në Kuvend ka pasur debat, nuk ka ardhur deri në këto momente ndonjë platformë. Krijimi i komisioneve të tjera ad-hoc mund të bëhet vetëm me propozim të deputetëve të Kuvendi të Kosovës. Proceduralisht në qoftë se deputetët kanë vullnetin e tillë, e mirëpresim”, ka deklaruar Osmani.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, tha se nuk ka platformë të shkruar.