​OAK nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me UP-në

E publikuar: 29/12/2020 13:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Me qëllim të rritjes së bashkëpunimit, krijimit të lehtësirave për studentët, shkëmbimit të të dhënave për përkrahjen e studentëve dhe bizneseve, krijimin e vendeve të reja të punës për studentët të cilët janë në studime e sipër, bërjes së hulumtimeve dhe analizimin e tregut të punës dhe nevojave që ka tregu për t’i orientuar studentët në fusha përkatëse, Oda e Afarizmit të Kosovës ka nënshkruar sot një memorandum bashkëpunimi me Universitetin e Prishtinës ‘Hasan Prishtina’.

OAK dhe UP përmes këtij memorandumi pajtohen të krijojnë partneritet me qëllim të shkëmbimit dhe ofrimit të këshillave profesionale për bizneset në fusha të ndryshme, si dhe studentëve të fakulteteve të ndryshme të Universitetit të Prishtinës t’iu mundësohet të vijojnë praktika profesionale pranë bizneseve anëtare të OAK-ut.

Kryetari i Bordit të OAK-ut Skënder Krasniqi tha se me anë të nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje po hapen rrugët për studentët, të cilët krahas studimeve, do të kenë mundësinë të kryejnë edhe praktika pranë bizneseve anëtare të OAK-ut.

Ndërsa, rektori Naser Sahiti falënderoj Odën e Afarizmit të Kosovës si dhe theksoi se janë të hapur për çfarëdo bashkëpunimi, i cili do të jetë dobiprurës për studentët dhe do të hapë rrugët e tyre për ndërtim të karrierës. Përderisa, OAK ritheksoi se janë të gatshëm të ofrojnë ndihmën e saj dhe të diskutojnë për gjëra praktike në dobi të studentëve dhe ndërmarrjeve afariste.