​Nagavci: Vendimi i gjykatës ndaj Pjetër Ndrecaj rritë pasigurinë e grave dhe vajzave

E publikuar: 14/09/2020 13:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nënkryetarja e Kuvendit nga radhës e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, duke komentuar vendimin e gjykatës ndaj Pjetër Ndrecaj, i cili kishte vrarë bashkëshorten Valbona Markut dhe vajzën e vet 9 vjeçare, ka thënë se vendimi për të ulur dënimin për autorin e këtij krimi të dyfishtë është mesazh i dëmshëm dhe i gabuar për të gjithë ata që ushtrojnë dhunë mbi gratë dhe veç sa rritë pasigurinë e grave dhe vajzave viktima të dhunës.

Nagavci ka shkruar në Facebook se vrasja e Valbona Markut dhe vajzës së saj 9 vjeçare nga bashkëshorti i saj, Pjetër Ndrecaj kishte tronditur me të drejtë të gjithë.

“Autoritetet përgjegjëse shtetërore kishin dështuar të mbrojnë jetën e Valbonës dhe vajzës 9 vjeçare. Por, sot, vendimi për të ulur dënimin për autorin e këtij krimi të dyfishtë është mesazh i dëmshëm dhe i gabuar për të gjithë ata që ushtrojnë dhunë mbi gratë dhe veç sa rritë pasigurinë e grave dhe vajzave viktima të dhunës. Shteti dhe institucionet e tij kanë përgjegjësi mbrojtjen e jetës. Dhuna në familje ka ardhur duke u rritur, andaj sjellja e tillë e sistemit të drejtësisë jo që nuk i kontribuon parandalimit, por përkundrazi rëndon edhe më shumë gjendjen e rëndë të vajzave dhe grave në Kosovë”, ka shkruar ajo./kp/