​Nagavci akuzon Qeverinë Hoti për dështim të menaxhimit me pandeminë COVID-19

E publikuar: 05/07/2020 18:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje Arbërie Nagavci ka adresuar kritika të ashpra ndaj Qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës në lidhje me menaxhimin e pandemisë me koronavirus në kohën kur vendi po përballet me një shtim të madh të rasteve të reja.

“Fatkeqësisht në Kosovë shifrat e të vdekurve dhe të infektuarve me Covid-19 po rriten me shpejtësi e situata po bëhet alarmante. Viktimat nuk janë vetëm numra, nuk është e rëndësishme raportimi i moshës së tyre e as se a kanë pasur dhe sëmundje tjera. Secila e secili nga ta janë jetë njerëzish, janë persona me historitë, familjet, ëndrrat e dhimbjet e tyre. Të gjitha viktimat lënë pas vetes mall e dhimbje për humbjen, ashtu si dhe brengë e dëshpërim se ndoshta kujdesi i munguar është një nga shkaqet që po i humbim”, shkruan Nagavci në Facebook.

Ajo thotë se gjendja aktuale ka dalë krejtësisht jashtë kontrollit dhe se Qeveria po dështon në kujdesin ndaj shëndetit publik, ruajtjes së jetës së qytetarëve si e drejtë absolute dhe po ashtu ka bllokuar Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19 të iniciuar në muajin prill.

“Ndërkaq studimet po tregojnë se Covid-19 mund te kthehet te i njëjti person edhe pas shërimit, fatkeqësisht raste të tilla të konfirmuara për herë të dytë kemi dhe në Kosovë. Pra të gjithë jemi të rrezikuar, pa marrë parasysh moshën, dhe pasojat mund të jenë të rënda. Në këto rrethana, më e rëndësishmja është të ruani shëndetin personal, të familjarëve dhe të gjithë atyre me të cilët keni kontakte. Ruani distancën fizike, kujdesuni për higjienën, përdorni maskat dhe shmangni qëndrimet në ambiente të mbyllura”, ka shkruar Nagavci./kp/