​Ministri Likaj: Nxënësit e Busavatës të kthehen në shkollën e fshatit

E publikuar: 18/09/2020 15:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj e ka lutur kryetarin e Kamenicës, Qëndron Kastrati të pauzojë çështjen e riorganizimit të shkollave atje. Ministri kërkoi që nxënësit e Busavatës të kthehen në shkollën e fshatit.

Likaj theksoi se riorganizim i shkollave do të ndodhë në nivel vendi në të ardhmen.

“Baza ligjore është përgatitur dhe nënshkruar me datën 14 që e rregullon këtë çështje, ku askush nuk mund të jetë i anashkaluar dhe ofenduar. Aty i lejohet edhe riorganizim dhe vazhdim i punës së institucioneve shkollore. Ne kemi kërkuar në formën më të mirë mundshme ku i kemi ofruar ndihmën profesionale dhe ndihmën financiare që për shkak të pandemisë nxënësit, sidomos të Busavatës të kthehen në shkollën e fshatit”, tha ai.

Likaj në Kuvend ku është thirrur në interpelancë, tha se për shkak të pandemisë duhet të pauzohet ky riorganizim në Kamenicë.

“E kisha lut edhe kryetarin e komunës së Kamenicës që të ketë mirëkuptim për shkak të situatës, por riorganizimi ka me ndodhë. Por njëherë të pauzohet kjo çështje, e ajo do të ndodhë në nivel të Kosovës sipas një riorganizimi të cilin ministria është duke bërë”, tha ai.

Sot gjatë ditës kanë protestuar banorët e disa fshatrave në Kamenicë pikërisht për çështjen e riorganizimit të shkollave./E.Zeqiri/