​Lajmi i fundit: Palët nuk arritën marrëveshje për demarkacionin, vazhdojnë nesër

E publikuar: 22/02/2018 21:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Partitë politike të vendit kanë dështuar në mbrëmjen e së enjtes që të arrijnë një marrëveshje, e cila do t’i hapte rrugë ratifikimit të Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, në Kuvendin e Kosovës.
Gazeta Express ka marrë vesh, nga burimet e saj të përfshira në diskutime, se palët do të përpiqen që të arrijnë një marrëveshje gjatë ditës së nesërme.

Sipas këtyre burimeve, një përplasje mes Lidhjes Demokratike e Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës po pengon arritjen e marrëveshjes shumëpartiake për Demarkacionin.

Mësohet se LDK dhe AAK janë duke u shtyrë për terminologji – dy partitë nuk po bien dakord për emërtimin e raportit për demarkacionin e kufirit, të përpiluar nga komisioni shtetëror, që udhëhiqet nga Shpejtim Bulliqi.

Më herët, LDK ka lëshuar një komunikatë për media, duke thënë se i ka ofruar zgjidhje koalicionit qeverisës për demarkacionin, por nuk ka treguar se çfarë saktësisht.

“Lidhja Demokratike e Kosovës, në takimet me partitë e koalicionit qeverisës, ka ofruar zgjidhjen më të arsyeshme, e cila i hap rrugë ratifikimit të Marrëveshjes për Shënimin e Kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi”, thuhet në komunikatë.

LDK u ka bërë thirrje partive të koalicionit qeverisës që të dakordohen me zgjidhjen e propozuar nga ajo, dhe t’i sigurojnë votat e shumicës qeverisëse.

“LDK-ja i siguron qytetarët se vullneti i saj është në përputhje të plotë me vullnetin e tyre për lëvizje të lirë dhe se grupi jonë parlamentar është unik në këtë qëndrim”, përfundon komunikata e LDK’së.

Ndërkaq, shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, u ka bërë thirrje politikanëve të Kosovës që ta ratifikojnë Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Pasi Kuvendi i Kosovës sot ka dështuar ta kalojë Demarkacionin, ratifikimi i të cilit po mban peng liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, Apostolova ka bërë një apel për udhëheqësit e vendit, në llogarinë e saj zyrtare, në Twitter.

“Gjetja e konsensusit për votimin e demarkacionit tregon lidership”, ka deklaruar Apostolova.

“I bëj thirrje politikanëve të Kosovës të mendojnë për qytetarët e Kosovës dhe për rininë e Kosovës”, ka shkruar ajo në Twitter. /Express/