​Komisioni Evropian, 70 milionë euro për vaksinat në Ballkan

E publikuar: 28/12/2020 14:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komisioni miraton paketën prej 70 miliona € për qasje të hershme të Ballkanit Perëndimor në vaksinat kundër COVID-19 të BE-së

Komisioni Evropian miratoi sot një paketë prej 70 milionë eurosh nën Instrumentin e Para-Anëtarësimit (IPA II) për të ndihmuar në financimin e qasjes së partnerëve të Ballkanit Perëndimor në vaksinat kundër COVID-19 të prokuruara nga shtetet anëtare të BE-së.

“Gjatë gjithë pandemisë, BE-ja ka treguar se e trajton Ballkanin Perëndimor si partner të privilegjuar. Ne vazhdojmë të veprojmë në këtë frymë edhe në rastin e vaksinave, duke ndërmarrë hapa për ta mundësuar një fillim të shpejtë të fushatave të vaksinimit për stafin kritik dhe grupet më të cenueshme në rajon në fillim. Vaksinimi i shpejtë do të jetë vendimtar në mbarimin e pandemisë dhe fillimin e rimëkëmbjes socio-ekonomike të Ballkanit Perëndimor”, deklaroi Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Paketa do të shpërndahet në formën e granteve që do të ndihmojnë në mbulimin e kostos së vaksinave për grupet prioritare në rajon, si dhe pajisjet e nevojshme për vaksinim. Kjo do t’i mundësojë Ballkanit Perëndimor që ta blejë një numër të vaksinave nga Marrëveshjet e Avancuara të Blerjes të BE me gjashtë prodhues, ashtu që shtetet anëtare të BE e ndajnë një pjesë të dozave të tyre të para-alokuara.

Ndërsa BE vazhdon ta përkrahë iniciativën COVAX, që është instrumenti botëror për të siguruar qasje të drejtë dhe universale në vaksinat COVID-19, dhe të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor e kanë nënshkruar atë, dorëzimi i vaksinave nën atë skemë pritet të fillojë më vonë sesa fushatat e vaksinimit në BE.

Qasja në një numër të dozave nga marrëveshjet e blerjes së BE do të mundësojnë që rajoni të fillojë vaksinimin paralelisht me Shtetet Anëtare të BE-së.

Komisioni dhe Qendra Evropiane për Kontrollin e Sëmundjeve po e ndihmojnë rajonin edhe në finalizimin e strategjive të vaksinimit në përputhje me rekomandimet e Komisionit për ta siguruar përgatitjen e duhur të fushatave dhe administrimin e vazhdueshëm të vaksinave. BE po financon edhe një projekt me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të ndihmuar në menaxhimin e logjistikës dhe shpërndarjen e vaksinave.