​KMDLNj: Hetimi i Rakiqit nga Agjencionit Kundër Korrupcionit i Serbisë, ndërhyrje në punët e Kosovës

E publikuar: 27/07/2020 21:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka reaguar lidhur me hetimin që po ia bën Agjencioni Kundër Korrupcionit i Serbisë ndaj Goran Rakiqit, zëvendëskryeministër i Kosovës dhe kryetar i Listës Serbe, duke thënë se ky veprim paraqet ndërhyrje flagrante të Serbisë në punët e brendshme të Kosovës, pasi Goran Rakiq po trajtohet si qytetar dhe shtetas i Serbisë.

KMDLNj thotë se Qeveria e Kosovës përkatësisht kryeministri Hoti duhet të deklarohet për këtë rast sepse është joserioze, nënçmuese dhe nëpërkëmbje e kredibilitetit që të lejohet që shteti i Serbisë që ka sjellje shkatërruese dhe armiqësore ndaj Kosovës të hetojë zyrtarët më të lartë të saj qoftë ai edhe Goran Rakiq./kp/

Reagim i KMDLNj – së:

AGJENCIONI KUNDËR KORRUPCIONIT I SERBISË E HETON ZËVENDËSKRYEMINISTRIN E KOSOVËS !!!!!

Serbia nuk po i ndalë provokimet kundër Kosovës dhe institucioneve sikur edhe bartësve të posteve më të larta. Agjencioni Kundër Korrupcionit paska nisur hetimet për mosdeklarim të pasurisë kundër Goran Rakiqit, zëvendëskryeminister i Kosovës dhe kryetar i Listës Serbe për shkak të mosdeklarimit të pasurisë si drejtor i ndërmarrjes Standard, ndërmarrje pjesë e sistemit paralel të Kosovës duke e kërcënuar me burg prej 6 muaj e deri në 5 vite.

Ky veprim paraqet ndërhyrje flagrante të Serbisë në punët e brendshme të Kosovës dhe Goran Rakiq po trajtohet si qytetar dhe shtetas i Serbisë. Qeveria e Kosovës përkatësisht kryeministri Hoti duhet të deklarohet për këtë rast sepse është joserioze, nënçmuese dhe nëpërkëmbje e kredibilitetit që të lejohet që shteti i Serbisë që ka sjellje shkatërruese dhe armiqësore ndaj Kosovës të hetojë zyrtarët më të lartë të saj qoftë ai edhe Goran Rakiq. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Goran Rakiq duhet të deklarohet rreth këtij hetimi.

Nëse e pranon këtë hetim si të ligjshëm atëherë duhet të jep dorëheqje nga posti që e mbanë në Qeverinë e Kosovës në të kundërtën duhet të shkarkohet nga ky post nga kryeministri Hoti. Nuk mund të jeni edhe udhëheqës i ndërmarrjes paralele, të pranoni hetim nga Agjencioni Kundër Korrupcionit të Serbisë e në të njëjtën kohë të jeni zëvendëskryeministër i Kosovës! Nëse kjo pranohet atëherë nënkupton se Kosova po pranon ndarjen e sovranitetit juridik me Serbinë e kjo është e papranueshme. Nuk ka raste të ngjashme në botë dhe një shtet normal nuk do ta pranonte këtë.